Kjo e hënë ka sjellë ulje drastike të temperaturave në Qarkun e Dibrës. Që prej mëngjesit i gjithë qarku është përfshirë nga reshjet e dëborës. Por vetëm Bulqiza e Dibra janë mbuluar nga bardhësia e saj. Në Bulqizë reshjet janë shoqëruar me erë të fortë, duke paralizuar gjithçka.
Ndërkohë situatë më ndryshe është paraqitur në Dibër ku nuk ka patur erë, por trashësia e dëborës ka qenë më e madhe. Megjithëse jemi në një situatë të vështiorë të krijuar nga virusi Covid-19, reshjet e dëborës nuk kanë shkaktuar probleme në rrugët nacionale apo ato rurale.
Ulja e temperaturave sipas sinoptikanëve pritet të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme ku në zonat malore pritet të shoqërohet me reshje dëbore. Por për specialistët e Bujqësisë, dëbora në këtë periudhë dhe temperaturat e ulta do të kenë pasojë të mëdha në bujqësi.