Për herë të dytë në një hark kohor brenda më pak se një viti është ndërhyrë në rrugën nacionale Klos – Bulqizë në segmentin e fshatit Klos Katund.

Firma mirëmbajtëse e rrugës nacionale Skuraj – Peshkopi është dashur të ndërhyjë edhe këtë herë duke bërë edhe nënshtresat e rrugës në këtë pjesë për shkak se investimi i vjeshtës së kaluar u dëmtua shumë shpejt.

Investimi i vitit të kaluar ishte me vlerë afro 8 milion lekë të rinj të cilat u shpenzuan në këtë segment rruge dhe disa pjesë të tjera nga Peshkopia në Klos.

Si rezultat i cilësisë së dobët të punimeve dhe asfaltit të hedhur në të, gropat u rikthyen shumë shpejt në rrugë duke u bërë problem për qarkullimin e automjeteve.

Jashtë kameras, drejtuesit e mjeteve thanë se aksi ishte kthyer në gangrenë për ta, ndërsa shpresojnë se investimi i fundit të mos ketë fatin e investimit të bërë në Tetor të vitit të kaluar.

Ata kërkojnë më shumë vëmendje në mirëmbajtjen e kësaj rruge edhe pse një pjesë e madhe e qarkullimit është kthyer nga rruga e Arbrit nëpërmjet fshatit Plan i Bardhë, pasi shumë mjete e përdorin ende këtë rrugë.