Nga Elona CASLLI

Thonë se një njeriu po i hoqe dinjitetin, i ke hequr gjithçka. Pajtohem me këtë thënie, pasi dinjiteti sipas meje, është i barasvershëm me identitetin e një njeriu.

Kemi një emër dhe një mbiemër për t’u dalluar nga njëri- tjetri, sikundër kemi edhe një dinjitet që na identifikon.

Në Mat, sot dikush ka vendosur t’i japë shoqërisë shqiptare një mesazh shumë të rëndësishëm; mesazhin që dinjiteti njerëzor duhet të jetë i paprekshëm.

Një nga pseudobamirësit, që hasen dendur në Shqipërinë tonë, ka vendosur t’i japë qytetarit nga Mati disa ndihma. Pasi ia ka dhënë ndihmat, i ka kërkuar të bëjë foto me të, për të kryer procesin e pornos me varfërinë.

Qytetari nga Mati e ka refuzuar këtë pjesë, duke i lënë ndihmat jashtë shtëpisë së tij dhe duke ia mohuar të drejtën pseudobamirësit, që ta identifikonte varfërinë me fytyrën e tij.

Ky qëndrim nuk dëshmon gjë tjetër veçse qytetari dhe identitet.Të ruash të paprekshëm dinjitetin tënd, do të thotë të ruash të paprekshme të drejtën për të thënë ‘ jo’.

Dinjiteti yt, të jep të drejtën të revoltohesh, të mos jetosh i gjunjëzuar, por të jetosh i ngritur në këmbë përballë një diktati të pështirë, që përmes mëshirës kërkon të të skllavërojë dhe jo të të ndihmojë.

Post Scriptum-Kush hesht dhe ul kokën, vdes çdo herë qe e kryen këtë veprim. Kush flet dhe ecën me kokën lart, vdes një herë të vetme.Giovanni Falcone