Dhurata Çupi, deputete e Partisë Demokratike, u shpreh se “Reforma Territoriale ka patur që në nisje elementë regresivë”.
“Miratimi vetëm me votat e mazhorancës, pa konsensusin e opozitës në vitin 2014 dhe pa konsensusin e qytetarëve. Nga ana tjetër ka patur edhe të metën që kjo reformë u miratua me një akses të theksuar elektoral favorizues të partisë në pushtet. Për këtë arsye, ka dështuar kjo reformë dhe vendi ka nevojë për një Reformë Territoriale të re”, tha Çupi.
“Pas kësaj reforme pretendohej dhe një eficencë financiare, por të dhënat janë dëshpëruese, tregojnë që nuk ka qenë produktive. Të gjitha bashkitë varen totalisht nga qeveria edhe nga buxheti, edhe nga shtimi i punonjësve. Bashki të mëdha janë në atë pikë ku qytetari nuk merr dot shërbimin që i nevojitet, pasi qendrën e bashkive janë shumë larg tashmë”, shtoi deputetja demokrate.
Sipas saj, edhe nga ana elektorale, kjo reformë ka qenë “ndarje elektorale e pastër për të marrë bashkitë”.
“Ne e kishim parashikuar që kjo reformë do të ishte elektorale, i kemi ndjerë pasojat e kësaj reforme, por e dinim që kur erdhi pa konsensusin e opozitës dhe qytetarëve. Kërkesën për rishikimin e Reformës Territoriale e ka bërë PD-ja, për të hequr efektet elektorale dhe për ta bërë efektive me qytetarët”, theksoi Çupi.