Vetëm pasi lajmi u bë publik në median tonë vizive, firma e cila po ndërton rrugën e Arbrit ka ndërhyrë në Bajpasin e Murrizit, duke bërë të mundur mbushjen e të gjitha gropave që ishin kthyer në makth për të gjithë drejtuesit e automjeteve që lëvizinin në drejtim të Tiranës apo Qarkut Dibër. Situata ishte bërë tejet shqetësuese pasi gropat përbënin rrezik për aksidente për të gjithë përdoruesit e rrugës. Ndërkohë, firma ka ndërhyrë menjëherë pasi shqetësimi i drejtuesve të automjeteve u bë publik në media. Ajo ka bërë të mundur jo vetëm mbushjen e gropave por edhe rehabilitimin e atyre pjesëve të rrugës që kishin pësuar deformime. Drejtuesit e mjeteve shprehen se kompania të mos presë sa situata të bëhet publike por ta mirëmbajë këtë rrugë vazhdimisht deri në hapjen e tunelit të Murrizit për qarkullimin normal të automjeteve. Ata kërkojnë që përsa kohë kompania ka lejuar lëvizjen e mjeteve në këtë segment, të bëjë të mundur që ai të funksionojë normalisht në çdo kohë.

Bajpasi i Murrizit u ndërtua për të lidhur provizorisht të anët e tunelit të Murrizit, ndërsa u hap për qarkullimin e automjeteve që në nëntor të vitit 2021.