Rast i Dytë i Dyshuar Helmi Ushqimor në Akademinë e Sigurisë
Studentët e Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi, vetëm pak javë pas një incidenti të ngjashëm të regjistruar në institucion.
Mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:00, kursantët kanë shfaqur simptoma të tilla si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke. Disa prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë trajtuar me serum.
Simptomat janë shfaqur pas konsumimit të vaktit të darkës, ku në menu kanë qenë salçiçe, fasule dhe kos.
Ngjarja ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë ushqimore në Akademinë e Sigurisë, pasi bëhet fjalë për rastin e dytë të dyshuar të helmimit brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Më 7 maj, 56 kursantë të kësaj akademie u paraqitën me simptoma të ngjashme, në një ngjarje që u hetua nga autoritetet përkatëse.