Nga Gjet Kadeli
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Dokumenti sekret me raport-informacionin e miratuar nga kryetarët e Degëve të Brendshme të Burrelit dhe Krujës, Ismail Musta e Hamit Myhyrdari, me planin e masave agjenturalo-operative, për ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit, në kampin e Spaçit
S E K R E T
Ekzemplarë Nr.1
Burrel më 10/7/1975
MIRATOHET
Zv. Kryetar i Degës P. Brendshme Kryetari i Degës P. Brendshme
Ismail MUSTA P/Hamit MYHYRDARI
Krujë më 10/7/1975.
PLAN MASASH AGJENTURALO – OPERATIVE PËR NDJEKJEN E OBJEKTIT GJETË KADELI.
I dënuari Gjet Kadeli, ka ardhur me transferim nga Reparti 303 Spaç, i cili ndiqet në II/A, si agjent i zbulimit Jugosllav, i cili gjatë proçesit hetimor, nuk është zbërthyer si i tillë, por nga zhvillimi i proçesit hetimor, në ngarkim të Adem Mujos e, grupit të tijë, del se Gjeta është rekrutuar nga Angjelina Sokoli, emigrante Jugosllave, aktualisht është e riatdhesuar në Jugosllavi dhe nëpërmjet kësaj, ka dërguar informacione në ambasadën Jugosllave.
Me qëllim që të arrimë në zbërthimin e këtij objekti, si agjent i Zbulimit Jugosllav, mendojmë që në bashkëpunim edhe me Degën e P. Brendshme Krujë, të merren këto masa agjenturalo – operative:
Dega e Punëve të Brendshme Burrel.
Në vartësi të të dhënave të kohëve të fundit të marruna nga agjenti “Dardha”, të hartohet një vijë sjellje për të konsumuar me objektin rreth reagimeve të më tejshme, ku si temë kryesore, të jetë arratisja e babait të tij.
Kryen P.Op. Esat Lata, deri në Gusht 1975.
Kontrollon Shefi i Seksionit R. Hoxha.
Me qenë se, Nik Deda është i dënuar me 25 vjet heqje lirie dhe është duke vuajtur dënimin në Repartin 309 Ballsh dhe di rreth aktivitetit armiqësor të Objektit në fjalë, si lidhje shoqërore e tijë, të korrespondohet me Degën e P. Brendshme Fier, për ta pyetur rreth aktivitetit armiqësor të objektit Gjet Kadeli, si edhe lidhjeve familjare të objektit.
Kryen P.Op. Esat Lata në muaj korrik 1975.
Kontrollon Shefi i Seksionit R. Hoxha.
Të ri studiohet rrethi shoqëror që do të krijojë si edhe të studiohen lidhjet e tij, për të mundur me sigurue ndonjë kandidaturë të përshtatshme në drejtim të objektit dhe në të njëjtën kohë, për ta drejtuar tek Gjeta.
Kryen Punëtori Operativ, Esat Lata deri në nëntor 1975. Kontrollon shefi i seksionit R. Hoxha.
Në rast se, do t’i vinë për takim pjesëtarët e familjes, nga ana jonë do të merren masa për ta dëgjuar me T.O. dhe në rast se do të dali gjë, në interes të të afërmve të Gjetës, materiali do t’i dërgohet Degës P. Brendshme Krujë, sipas interesit që do të kenë.
Detyrë e vazhdueshme. Kryen P.Op. E.Lata.
Kontrollon Shefi i Seksionit, R. Hoxha.
Të mbahet nën kontroll e gjithë korrespondenca e Gjetës dhe e lidhjeve të tija dhe sipas interesit operativ, të veprohet.
Detyrë e vazhdueshme, kryen P.Op. E. Lata.
Kontrollon Shefi i Seksionit.
DEGA E PUNËVE BRENDSHME KRUJË
Me qenë se në drejtim të Gjetë Kadelit, gjatë përpunimit kur ishte i lirë ka dhënë agjenti “Mbrehija”, të studiohet
mundësia e dërgimit të tij, ose edhe e ndonjë tjetri, me vijë sjellje tek Gjeta, në Repartin e Riedukimit 321, Burrel dhe bisedat e tyre të dëgjohen me T.O.
Kryen P.Op. A. Veliu deri në shtator 1975.
Kontrollon shefi i Seksionit, B. Haxhiu.
Në drejtim të lidhjeve të objektit të drejtohet B.p. “Adresa” dhe “Lisi”, të cilët dinë rreth proçesit hetimor të agjenturës së Adem Mujos, ku pjesëtari i grupit, Nik Deda, e nxjerr objektin si lidhje të tij të ngushtë, si edhe i rekrutuar nga emigrantja, Angjelina Sokoli, ku nëpërmjet kësaj, i ka dërguar disa informacione Legatës Jugosllave në Tiranë.
Kryen P.Op. A. Veliu, detyre e vazhdueshme.
Në drejtim të familjes së tij të drejtohet agjentura “Çezma e Trojës”, për të mësuar rreth qëndrimit të tyre, reagimet si edhe komentet, lidhur me dënimin e djalit të tyre.
Detyrë e vazhdueshme kryen A. Veliu.
Në vartësi të këtyre detyrave, do të dërgohen Degës P. Brendshme Burrel, materialet që do të dalin në ngarkim të objektit.
Detyrë e vazhdueshme Kryen e P.Op. A. Veliu.
PUNËTORI OPERATIV SHEFI I SEKSIONIT
ESAT LATA RAMIZ HOXHA
AXHEM VELIU BASHKIM HOXHA
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Esat Lata, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Dardha”, për bisedat që ai ka zhvilluar me Gjet Kadelin, në kampin e Spaçit
Dhënë: Agjenti “Dardha”
Marrë: P.Op. Esat Lata
Burrel, më 25/9/1975
R A P O R T
Ai raporton lidhur me detyrën e dhënë në fillim të muajit shtator 1975, mbi bisedën e atij me Gjet Kadelin, lidhur me arratisjen e babait të tij.
Nga bisedat e zhvilluara më datën 16 dhe 19 shtator 1975, ai e nisi bisedën lidhur me veprimin që bëri Simon Jubani kohët e fundit. Ai i tha Gjetës se, jo vetëm që ti Gjet e ke shok për shpirt Simonin, je revoltuar, por edhe ne të gjithë, jemi prekur nga ajo që ndodhi. Atëhere Gjeta, ju shpreh atij: “Ekzistenca e këtij lloj komunizmi në Shqipëri, i ka interesuar botës së lirë sepse, duke treguar me gisht se, ja kush është komunizmi, bota ka vënë mend sepse, ky lloj komunizmi, është kanibalizëm, ku ha njeriu njerinë.
Pra më shumë se sa e ka dëmtuar këtë komunizëm, Hoxha jonë (udhëheqësi kryesor i Partisë), nuk e ka dëmtuar askush. Këta (udhëheqja kryesore janë psikopatët e Luftës së Dytë Botërorë, nxënësit e Hitlerit. Nuk shikon vetëm burgje e pushkatime, tash 30 vjet dhe sa të jenë këta, deri në çastin e fundit, do të mbjellin viktima). Ky është ushqimi i jetës së tyre.
Babai im, ja u dinte dhëmbët e dhëmballët dhe ja u punoi për bukuri. Ai ju ka treguar të pesë kontinenteve se, ç’vend kriminelësh është bërë Shqipëria dhe se merr me mend se sa, e ka ndihmuar babain tim. Vëllai im, atje më Amerikë, mori dy diploma. Kij parasysh se, në qëndrofsh mirë në këtë burg që po bën, do të kesh dorën e ndihmës së tij, sa nuk e parashikon.
Ai atje, pregatitet si kuadër, për këtë që sot po vuan dhe të sigurojë se, ai do të kthehet shumë shpejt, tani këtyre po ju dridhen këmbët, kalojnë orët e fundit. Udhëheqësi kryesor i Partisë, kësaj radhe shkoi fshehur si hajdut në Korçë se, ka frikë të dalë para popullit dhe lajkat e tij, pas një jave që ai u kthye, filluan të reklamojnë për atë vizitë të vdekur. Po dridhen, fundin, s’kan rrugë tjetër, kij besim.
Përsa i përket atyre të të mive (familjes, baba e vëllai), janë bërë milionerë. Ai i tha Gjetës që; gabim që nuk të mori edhe ty me vete. Gjeta i përgjigjet: Ai nuk e kish zor, mirëpo ai punon për kombin pikë së pari, nuk desh që ta prishnim bazën familjare, para syve të popullit të Mirditës, së dyti, unë do të jem një dëshmitar i saktë, për të gjitha këto që ndodhin; Ja, ku po ta them se, këta (pushteti), babës tim dhe shokëve të mi, ja u kanë frikën, si vdekjes, sepse, e dinë fare mirë që nuk e kanë të gjatë dhe në dorën tonë, do të bien se, edhe këto mendojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Pikërisht për këtë, mua më shumë se sa më kanë dënuar, nuk më dënojnë dot.
“Dardha”
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna ka vlerë operative sepse, bën fjalë për aktivitetet armiqësore, nga i dënuari Gjet Kadeli.
Detyrë:
Agjenti u porosit që, të bisedoj me Gjet Kadelin dhe t’i thotë se; më bëri përshtypje ajo që më the se, baba jem, ja u punoi këtyre, po mire, po si veproi, pastaj ajo që më habit mua është, se si ua hodhi këtyre, po mire, po si veproi, pastaj ajo që më habit mua është se, s’i u a hodhi këtyre, veç është një gjë, e se po flasim mjaft, por ç’ti bësh se, s’po bëhet gjë, p.sh., ti thua se babës tim dhe shokëve të mi, ja u kanë frikën, si ta kuptojmë këtë, kur këto s’po lënë me ngritur krye, të gjithë atyre që janë kundër këtyre e sistemit socialit, atëhere ç’mund të bëjmë ne, ose babai tënd, si dhe shokët tuaj e, të mi.
Punëtori Operativ
Esat Lata
Shënime të shefit të Seksionit:
Jam dakord me detyrat dhe masat e marra, si dhe me shpërblimi e tijë (B.P.)26/9/1975 R. Hoxha
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Axhem Veliu, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Çezmja e Trojës”, për bisedat që ai ka zhvilluar me Gjet Kadelin, në burgun e Burrelit
Marrë: P.Op Axhem Veliu
Dhënë: B.P. agjent. “Çezmja e Trojës”
Krujë më 30/9/1975
R a p o r t
Ai raporton se, më datën 29/9/1975 si mbas detyrës se dhënë, shkon në burgun e Burrelit dhe takohet me Gjet Kadelin, pasi u përshëndet me të, në fillim i kërkon falje që, nuk ka shkuar më parë me e taku, por me thënë të drejtën, i ka thënë ai Gjetës, edhe kam patur halle dhe jam i vetëm dhe kam patur frikë se mos më flisnin. Ai i ka thënë se; kur u dënove ti Gjet, nuk dija datën se nuk e lija pa ardhur, në përgjigje, Gjeta i ka thënë se; çfarë bëre, apo nuk rrije rehat, Gjeta tha se; unë rregullova flamurin dhe e ngrita në Spaç, ku u bë revolucioni, për këtë, nuk i tregova kujt përveç teje, sepse jam dënuar edhe 6 vjet të tjera e, porositi që mos t’i tregonte kujt, ai i ka premtuar se jo.
Ai thotë se; më mbeti merak se, kur u dënua Adem Muja, nuk pata mundësi me shkue në gjyq se, isha në zbor, por më habiti rasti që Angjelina Sokolin, e dërguan në Jugosllavi, në atë kohë kur u dënua Adem Muja, e cila doli si bashkëpunëtore me ta, si është e mundur, i thotë ai, Gjeta tha se; nuk është e vërtetë, por ishte plani me i futë brenda, me anën e asaj dhe sa dajak kam ngrënë unë tha Gjeta, Gjon Hotin dhe Ndocin….. që punon në ofiçinën Mamurras dhe për vajzën e Gjon Marka Gjonit dhe për një prift në Milot. Ai i ka thënë; ti ke patur muhabet me to, po, thotë Gjeta, por nuk kam pranue asgjë për ta, se nuk doja që t’i futja në burg se, po të doja, isha dënuar shumë pak, por nuk desha me u bë spiun, ai i ka thënë se; ti Gjet, je i poshtër që, nuk më ke tregue fare për këta.
Gjeta i ka thënë atij, se; në burgun e Burrelit, jam bërë shumë i ngritur se, lexojmë libra në gjuhë italiane, i ka thënë se, ku të lenin të mësoni gjuhën italisht, po, thotë Gjeta, janë të lira, përveç të tjerave, kam mësuar afër një prifti për fenë, se në burg, kemi tre priftë që janë filozof dhe njërin nga këta, e kanë izoluar, i cili më ka mësuar shumë, ai i ka thënë se; po habitem se, me sa kam parë unë, diktatura e proletariatit, sa vjen dhe forcohet më shumë, lufta e klasave po zhvillohet, shkruhen parulla kundër fesë, e të tjera, ndërsa ti, mëson me prift në burg.
Gjeta e ka porositur atë që, kur mos ta shajnë fenë, se Turqia, 400 vjet luftoi, por nuk fitoi, prandaj duhet shikuar se Bashkimi Sovjetik, po i ndërton kishat dhe xhamitë dhe Kosingini shkon dhe i bie në gjunjë Papës së Romës, prandaj duhet qëndruar mirë karshi fesë. Gjeta i ka thënë atij, se; jam dënuar 16 vjet dhe më shumë se 2 vjet, nuk bëj, do të ndryshojë situate, se është futur në rrugë për së mbari dhe kanë kaluar mjaft 30 vjet.
Gjeta e ka porositur atë që, mos të flasin me njerëz se, të marrin në qafë, se ke fëmijë shumë dhe nuk ka se kush t’i mbajë, se unë, kam axhën të fortë dhe nënën, ai i ka thënë faleminderit për porosinë, se je më i zgjuar, po, thotë Gjeta, kam dalë 3 herë në gjyq e në hetuesi, e porositi që të shkojë tek shtëpia e Gjetës dhe t’u thotë se, është mirë, dhe t’i porosisësh që, mos t’i thonë kujt që ke ardh tek unë në takim.
Ai i ka thënë; ti mos u mërzit në burg dhe mos u merr me të gjithë të burgosurit por, me 5-6 vetë, Gjeta i ka thënë, se; nuk merrem me asnjë njeri se, ka spiunë që të përvëlojnë dhe më parë të raporton i burgosuri, se sa polici, më kanë hequr vërejtje sepse, rri i vetmuar. Me kaq biseda u mbyll.
“Çezmja e Trojës”
Sqarim: Gjet Kadeli, është i dënuar dhe është në burgun e Burrelit, përpunohet në 2/A, si agjent i Zbulimit Jugosllav.
Vlerësimi i të dhënës: E dhëna ka vlerë operative sepse, i dënuari Gjet Kadeli, përsëri mban qëndrim armiqësor dhe zhvillon agjitacion e propagandë, pret së shpejti, ndryshimin e situatës.
Detyra: Për të dënuarin Gjet Kadeli, nuk ju dhanë detyra se, B.p. nuk ka mundësi që të kontaktohet me të, po ja dhanë detyra që, të takohet me axhën e tij, Zef Kadelin, po kështu dhe me gruan e tij dhe t’i jepte porositë e Gjetës, kjo, më qëllim për të parë se, si do të reagojnë të afërmit e tij.
Shënim: B.p. në përgjithësi, e ka zbatuar vijën e sjelljes në bazë të dhënës. Memorie.al
Puntori Operativ
Axhem Veliu
Vijon numrin e ardhshëm
Memorie.al