Rama prezanton "Rilindjen 2.0": 1.5 miliardë euro investime për zhvillim urban dhe mjedisor

Rama prezanton "Rilindjen 2.0": 1.5 miliardë euro investime për zhvillim urban dhe mjedisor

Kryeministri Rama, gjatë eventit "Rilindja 2.0 me energji të re", bëri të ditur se qeveria synon të investojë 1.5 miliardë euro për projekte të reja zhvillimi në të gjithë vendin.

Rama u ndal gjithashtu në rastin e një proteste komunitare, duke theksuar se "sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy si e papranueshme ajo që mungon".

Kryeministri shpjegoi thelbin e programit, duke thënë: "Një program kombëtar ambicioz për të kaluar tek Rilindja urbane 2.0, duke i vendosur në dispozicion të këtij kapërcimi një objektiv prej 1.5 miliardë eurosh." Ai theksoi rëndësinë e të kuptuarit të reagimeve qytetare, duke dhënë shembullin e një banori të zhgënjyer nga një protestë komunitare pavarësisht përmirësimeve. "Fakti është që sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy, si e papranueshme ajo që mungon. Kjo nuk është mosmirënjohje, është pritshmëri për standarde të tjera. Ne nuk jemi më një shoqëri e varfër", shtoi Rama.

Ndërkohë, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, detajoi projektet që do të vihen në zbatim për bashkitë.

Demo theksoi se "kemi 83 muze në territor, dhe 22 projekte konkrete që do të marrin jetë". Ai shtoi se paketa e re financiare do të mundësojë krijimin e 70 muzeve bashkiakë, të fokusuar tek traditat lokale. Një tjetër prioritet është zgjidhja e çështjes së parkimit, për të cilën do të shpenzohen 120 milionë euro. "Ne duam të ndihmojmë të rinjtë, që duan të ndërmarrin hapa në sipërmarrje," tha ai, duke theksuar rëndësinë e arkitektëve që krijojnë qytete me dimensione të reja dhe impakt pozitiv në peizazhin urban.

Mbrojtja e mjedisit mbetet gjithashtu një fokus kryesor. "Ne jemi të vetëdijshëm sesa rëndësi ka që territori të mbulohet 100 përqind në menaxhimin e mbetjeve," theksoi ministri. Janë parashikuar investime prej 150 milionë eurosh në këtë sektor deri në vitin 2030, për të garantuar një mjedis më të pastër dhe të shëndetshëm.