Rama Për Reformën Territoriale: Konsultimi Publik Hapur, Djegia e Teserave Akt i Turpshëm

Rama Për Reformën Territoriale: Konsultimi Publik Hapur, Djegia e Teserave Akt i Turpshëm

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas valës së kundërshtive dhe protestave që kanë shoqëruar propozimin e Partisë Socialiste për Reformën Territoriale.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se procesi ndodhet aktualisht në fazën ligjore të konsultimit publik, e cila do të zgjasë 60 ditë, dhe se çdo palë ka të drejtë të shprehë lirshëm qëndrimin e saj mbi ndryshimet e propozuara.

Ai ndaloi edhe te kundërshtimet e shfaqura nga disa socialistë, duke e cilësuar si “akt të turpshëm” djegien e teserave të PS në një rast të veçantë. Po ashtu, Rama shtoi se disa deputetë të partisë kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa e kuptuar thellësisht thelbin e çështjes.

“Përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë ‘tribunin e vegjëlisë’ pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale por edhe e mirëseardhur,” shkruan Rama.

Kreu i qeverisë sqaroi më tej pikat kyçe të qëndrimit të tij:

  1. Dokumenti i reformës së propozuar është në fazën e konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh, gjë që fton çdokënd të shprehet lirisht.
  2. Sipas ligjit, kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre. Është e kuptueshme që ata që janë kundër mund të shprehen edhe me forma të tjera paqësore, për sa kohë nuk bllokojnë rrugë apo pengojnë jetën e të tjerëve.
  3. Nuk ka regjim as në Shqipëri, as në PS. Nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar shprehjen e opinionit. Për reformën do të vendosë Parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë bashki më të vogla.

Rama theksoi se gjatë këtyre 60 ditëve do të ofrohet informacion i detajuar mbi arsyet logjike të propozimeve. Ai qartësoi se në këtë debat nuk mund të merren parasysh argumente si reputacioni historik i zonave, numri i të rënëve në luftëra apo gojëdhëna të tjera, pasi ato nuk përbëjnë argumenta thelbësorë për reformën territoriale.