Rama në Estoni: Shqipëria, thelbësore për NATO-n, Evropa të reflektojë për sigurinë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të premte në Estoni, në panelin hapës të Konferencës Lennart Meri, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për sigurinë, diplomacinë dhe të ardhmen e Evropës.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Shqipëria do të mbështesë gjithmonë NATO-n si një vend anëtar i palëkundur i Aleancës.
Kryeministri shtoi se fragmentarizimi burokratik përbën një rrezik serioz për funksionimin dhe efektivitetin e NATO-s.
"Shqiptarët janë talebanë pro-perëndimore, jemi me aleancën transatlantike deri në fund," deklaroi Rama, duke nënvizuar angazhimin e fortë të vendit tonë.
Ai reflektoi mbi perceptimin e gjërave dhe paralelizoi situatën aktuale me ish-Bashkimin Sovjetik, jo si një parashikim për Evropën, por si një pikënisje për të kuptuar se si imperativat e mbrojtjes mund të krijojnë mungesë afatgjatë ekuilibri.
"Po përballemi me rrezikun që barra e sigurisë të shtrembërojë sfidat ekonomike. Më shqetëson se ku po shkon Evropa. Na duhet të bëjmë një vlerësim të mirëfilltë, pasi konteksti ka ndryshuar. Jemi shumë vende, së bashku jemi një ekonomi e madhe," theksoi Kryeministri.
Ai e mbylli fjalën e tij me një pyetje thelbësore që mendon se Evropa duhet t’ia bëjë vetes: "Sa mund të shpenzojë një civilizim për të mbrojtur veten?"