Rama kritikon qasjen e BE ndaj Rusisë: Nevojitet dialog krahas mbështetjes për Ukrainën

Rama kritikon qasjen e BE ndaj Rusisë: Nevojitet dialog krahas mbështetjes për Ukrainën

Kryeministri Rama ka ngritur zërin kritik ndaj qasjes diplomatike të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes hapur të kanalit të dialogut me Moskën, paralelisht me mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

Këto deklarata u bënë nga Rama para një samiti të rëndësishëm në Dublin, ku ai trajtoi gjithashtu edhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Në thelb të mesazhit të tij, Rama nënvizoi se ndonëse mbështetja për Ukrainën është një veprim i drejtë dhe i nevojshëm, ajo nuk duhet në asnjë mënyrë të përjashtojë mundësinë e dialogut me Rusinë. Ai theksoi se pavarësisht dinamikave aktuale dhe marrëdhënieve të tensionuara, bisedimet duhet të vazhdojnë.

“Unë besoj se është bërë një gabim shumë i madh që diplomacia iu është lënë në dorë, iu është jashtë kontraktuar të tjerëve dhe ka një përqendrim vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi me Rusinë,” deklaroi Rama.

Ai shtoi se, "Na pëlqen apo jo, Rusia nuk do të shkojë asgjëkundi. Do të vazhdojë të qëndrojë aty. Dhe e ardhmja e kontinentit është një e ardhme e përbashkët për të cilën duhet të punojmë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe ndërkohë që mbështesim gjatë tërë kohës Ukrainën, na duhet të bisedojmë.”

Kryeministri theksoi se nevoja për dialog është thelbësore për të ardhmen e kontinentit, duke argumentuar se angazhimi diplomatik është po aq i rëndësishëm sa edhe ai ushtarak në menaxhimin e krizës dhe ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme.