Qytetarët kërkojnë ndryshim: Protesta e 35-të në Tiranë

Qytetarët kërkojnë ndryshim: Protesta e 35-të në Tiranë

Qytetarë të shumtë janë mbledhur edhe sot, për të 35-ën herë radhazi, në protestën e mbajtur në Tiranë.

Tubimi nisi si zakonisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, aty ku folën disa prej tyre.

Kësaj proteste iu bashkuan edhe shqiptarë të ardhur nga Diaspora, të cilët mbanin në duar pankarta me mesazhe të ndryshme si: “Mjaft më!”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Një moment i veçantë ishte edhe torta e përgatitur për ditëlindjen e Edi Ramës, ku shkruhej: “Populli të uron dorëheqjen, merre edhe Saliun me vete”.

Mes zërave të lartë, ish-këshilltari i Berishës, Grid Rroji, u shpreh: “Kanë 35 vjet që na trajtojnë si skllevër. Ne këta i njohim kush janë, i kemi njohur me kohë. Këta janë më keq se Lubia nuk ngopen. Ushqehen me mishin dhe kockat e shqiptarëve. Shqipëria e Shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”.

Bashkëshortja e Altin Hilës bëri thirrje për lirimin e bashkëshortit të saj dhe të gjithë të burgosurve të tjerë: “Sot bëj thirrje që Altin Hila dhe të gjithë ata që janë burgosur të lirohen sa më shpejt. Dikush tjetër e meriton të jetë në burg, jo bijtë e nënave që dalin në protestë për të drejtën e tyre”.

Aktori Arben Bajraktaraj, i njohur si ‘Marko from Tropoja’, theksoi dhunën ndaj qytetarëve: “50 vjet dhunë. Doll më! Pushteti i ka mbyllur sytë, i ka mbyllur veshët, veç gojën e ka lënë me baltë. Lironi çunat! Mërgimi nuk është atdheu ynë”.