Mbrëmja e djeshme ka përkeqësuar situatën në zonat malore të Qarkut Dibër. Rënia e ndjeshme dhe e menjëhershme e temperaturave ka bërë që vendi të mbërthehet nga akulli.
Në lartësinë 400 metra mbi nivelin e detit pati edhe reshje dëbore.
Situata më problematike paraqitet në njësitë e thella Administrative të Bashkisë Dibër, si në Lurë, Kala e Dodës, Arras, Selishtë, Sall – Dardhë, Reç e Sllovë ku trashësia e borës varion nga 10 deri në 20 cm. Në disa fshatra të këtyre njësive administrative ende ka mungesë të energjisë elektrike.
E njëjta situatë është edhe në njësitë Administrative Trebisht, Martanesh dhe Tërnovë të Bashkisë së Bulqizës. ndërkohë mjetet që lëviznin drejt Krastës, duhej të përdornin zinxhirë pasi në rrugë ka prezencë të akullit në shumë segmente.
Edhe Njësitë Administrative Xibër në Bashkinë Klos e Macukull në Bashkinë Mat, u përfshinë nga reshjet e borës, por nuk u raportuan problematika.
Ndërkohë rrugët nacionale Peshkopi – Tiranë dhe Peshkopi – Kukës janë të kalueshme paprobleme.