Pavarësisht se është bërë shpeshherë problem mediatik, Qafë-Murrize vijon të ndotet nga mbeturinat. Sipas banorëve të zonës mbeturinat nuk hidhen vetëm nga pushues që vijnë nga Tirana apo zona të tjera për të shuar vapën, por hidhen edhe nga automjete të ngarkuara me mbeturina. Kjo ka bërë që ky mjedis i bukur natyror të tejndotet, duke larguar edhe mjaft qytetarë që zgjedhin këtë vend me ajër të pastër dhe livadhe të pashkelura për të kaluar orët e pushimit.
Për këtë problem mjedisor të pazgjidhur kontaktuam edhe me Drejtorin e shërbimeve bashkiake Klos, Jetmir Dedolli. Sipas tij, shërbimet bashkiake kryejnë pastrim territori për çdo fundmuaji edhe në mjediset e frekuentuara nga pushuesit në Qafë-Murrize, por për këtë ndotje masive po planifikohen të merren edhe masa të tjera. Dedolli thotë se shumë shpejt do të vendoset një roje dhe personat që kapen duke hedhur mbeturina në mjedis, qoftë pushuesit familjarë, qoftë personat që i sjellin me automjete mbeturinat në Qafë Murrize, do të penalizohen sipas ligjit, deri në 100 mijë lekë të reja gjobë. Dedolli u bën thirrje pushuesve që zgjedhin Qafë-Murrizen për të pushuar, që pas kunsumimit të ushqimeve, mbetjet t’i marrin me vete për t’i hedhur në vende të caktuara grumbullimi, dhe jo t’i lënë në vendpushim.