Rruga Qaf Buall – Krastë po i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë falë një projekti të financuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Punimet për rikonstruksionin total të kësaj rruge kanë nisur që në muajin Mars të këtij viti dhe firmës do t’i duhet ta dorëzojë si objekt brenda 13 muajve, respektivisht në muajin Prill të vitit të ardhshëm. Megjithëse për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në këtë aks rrugor ky investim është jetik dhe mezi pritet të përfundojë, ata kërkojnë që rruga të asfaltohet pjesë – pjesë dhe të mos pritet të përfundojë e gjithë traseja. Aktualisht, drejtuesit e mjeteve shprehen se kalimi në këtë rrugë bëhet me vështirësi për shkak të punimeve që po kryhen, ndërsa besojnë që më asfaltimin e plotë, kjo problematikë do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Rikonstruksioni i rrugës Qaf Buall – Krastë përfshin jo vetëm rehabilitimin e plotë por edhe zgjerimin dhe ndërtimin e veprave të artit.