Ndonëse është një nga perlat e natyrës shqiptare lugina e Shkopetit deri në Skuraj nuk po qëndron pastër siç duhet. Në këto muaj të nxehtë vere kjo luginë ka pritur nga qindra pushues apo vizitor vendas e të huaj.
Megjithatë, ajo që bie në sy është ndotja që shkaktohet. Për shkak të nivelit të ujit të vogël, pjesa më e frekuentuar e kësaj lugine mbetet ajo nga tuneli e deri në Skuraj. Por siç duket nga pamjet, bregu lumor është i ndotur nga mbeturina të konsumuara aty.
Shishe qelqi të pijeve alkoolike, të pijeve freskuese apo ambalazhe të tjera janë hedhur vend e pavend. Pushuesit nuk kanë hezituar t’i sjellin pijet deri aty, por pasi i kanë konsumuar ato, kanë hezituar të marrin ambalazhet me vete.
Situatë problematike mbetet edhe në bregun liqenor të Shkopetit. Pas vjedhjes apo hedhjes në liqen të kontejnerit të mbeturinave, vizitorët e ndryshëm apo ata që mbushin ujë pranë burimit lënë ambalazhet në vend.
Siç duket nga pamjet, edhe këtu ka mbetje të ndryshme që nga plastika, qelqi apo të tjera. Ndërgjegjësimi qytetar në vendin tonë vijon të mbetet në nivel të ulët sa i përket mbajtjes pastër të mjedisit ku pasojat nuk janë vetëm në imazh, por edhe në shëndetin e të gjithëve.