Temperaturat e nxehta të ditëve të fundit kanë rritur nevojën e qytetarëve që të gjejnë një vend ku të freskohen. E nëse pjesa më e madhe i drejtohet bregdetit, banorët e Gjoricës së Bulqizës por edhe të Maqellarës së Dibrës kanë gjetur lumin Drin i Zi. Thuajse e gjithë vija lumore nga rrjedha pranë hidrocentralit të Spilesë në Maqedoninë e Veriut mbushet me pushues kryesisht gjatë orëve të drekës. Një ndër pikat më të frekuentuara është kjo pranë urës së Drinit pjesë e rrugës së Arbrit. Fëmijë e të rritur vijnë pranë kësaj ure çdo ditë për të sfiduar të nxehtin që ka mbërthyer vendin. Pushuesit thoë se arsyet e frekuentimit të lumit janë të ndryshme, por më kryesorja është pamundësia ekonomike për të pushuar në detë.
Muhamet Gjeleshi ka një biznes të tijin buzë Drinit. Ai thotë se frekuentimi i lumit është shumë i lartë nga banorët e Bulqizës dhe Dibrës. Ai shton se nuk po gjen mbështetje nga pushteti vendor e ai qëndror për ta zgjeruar biznesin e tij.
Lumi Drin i Zi për shkak të sasisë së madhe të tij mbetet i pastër në të gjithë rrjedhën, duke e bërë atë të frekuentueshëm për plazh gjatë stinës së verës.