Dhjetra banorë të Njësisë Administrative Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës protestuan këtë të mërkurë për mungesën e ujit të pijshëm. Banorët thonë se është bërë një investim 3 milionë euro dhe uji në çezma mungon prej gjashtë muajsh. Ata shprehen se që nga problemi i një viti më parë, ku si pasojë e ndotjes së rrjetit u helmuan dhjetra banorë, nuk është marrë asnjë masë. Të gjendur në këto kushte banorët janë detyruar që për një vit me radhë të mbushin ujë në burime natyrale që ndodhen afër Gjoricës. Ata kërkojnë që investimi prej 3 milion eurosh të vihet në funksion, ose në të kundërt të mbajnë përgjegjësi ligjore përgjegjësit. Ujësjellësi i Gjoricës ka patur problematika që nga ndërtimi i tij ku tek vepra e marrjes vitin e kaluar u helmuan njëqind persona pasi u bë kontaminimi me ujrat e zeza në afërsi të fshatit Ostren i Vogël. Megjithë ndërhyrjen e bërë në atë periudhë situata ende nuk është zgjidhur.