Protesta kundër Qeverisë merr kthesë, Marshim drejt Aeroportit dhe Përballje me Policinë

Protesta kundër Qeverisë merr kthesë, Marshim drejt Aeroportit dhe Përballje me Policinë

Protesta kundër klasës politike mori një drejtim të papritur. Pas qëndrimit rreth dy orë poshtë Kryeministrisë dhe marshimit të zakonshëm nëpër rrugët e Tiranës, protestuesit nuk u kthyen sërish në pikën e nisjes, por u drejtuan në autostradën Tiranë-Durrës.

Për disa orë autostrada u bllokua nga marshimi i tyre, të cilët nuk u ndalën aty, por iu drejtuan rrugës së Rinasit, në drejtim të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Rreth orës 02:00 pas mesnate, protestuesit u përballën me policinë, Forcat Shqiponja dhe FNSH-në, të cilët kishin formuar disa kordonë, të ndihmuar edhe nga makinat e mëdha të uniformave blu.

Protestuesit qëndruan rreth 60 minuta ulur në rrugën e Rinasit, derisa morën vendim të mos avanconin më tej, por të ktheheshin drejt Tiranës.

Në fillim të protestës, persona me kapuçë të zinj dhe syze prishën qetësinë. Tensionet nisën kur u përhapën zëra se qytetarëve po u kërkoheshin kartat e identitetit për firmosjen e një peticioni, por organizatorët thanë se një gjë e tillë ishte provokim.

Protesta vijoi me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Edhe në ditën e 15-të, qytetarët shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike të 35 viteve me pankarta ironike dhe humor, por nuk munguan as fjalimet në podiumin e ngritur para Kryeministrisë.

Largimin e deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, nga grupi parlamentar i socialistëve, protestuesit e cilësuan fitore të tyre.

“Sapo erdhi një lajm që tregon se sa e madhe është kjo protestë. Një nga gurët e shahut sapo ka rënë, një deputete ka dhënë dorëheqjen nga PS. Deputetja e Shkodrës Marjana Koçeku sapo ka thënë jam deputete e pavarur. Ju erdhi fundi. Kjo na tregon se ne duhet të qëndrojmë në shesh, ato do të bien një nga një si gurë dominoje”, tha një prej protestuesve.

Tubimit iu bashkuan edhe banorë të Durrësit që kundërshtojnë projektin TID.

Pas fjalimeve, qytetarët marshuan në rrugët e kryeqytetit e më pas u futën në Unazën Lindore.