Protesta Jopartiake, Dita 23: Qytetarët Vazhdojnë Rezistencën me Kërkesa të Qarta

Protesta Jopartiake, Dita 23: Qytetarët Vazhdojnë Rezistencën me Kërkesa të Qarta

Protesta jopartiake në Tiranë shënoi ditën e 23-të, me qytetarët që vijuan tubimin e tyre përballë qeverisë.

Një pjesë e qytetarëve nisi grumbullimin në sheshin ‘Skënderbej’, ndërsa pjesa tjetër ishte stacionuar para Kryeministrisë, aty ku u mbajtën fjalimet si çdo ditë tjetër. Pas fjalimeve, protestuesit paralajmëruan rikthimin në sheshin ‘Skënderbej’ për të marshuar sërish rreth Bashkisë.

Një nga qytetarët, gjatë fjalës së tij para Kryeministrisë, listoi kërkesat kryesore drejtuar qeverisë:

Kërkesat Kryesore:

  • Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.
  • Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
  • Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
    • Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
    • Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
    • Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
  • Paralelisht, kërkohet:
    • Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
    • Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
    • Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
    • Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

U theksua se një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

“Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe nga vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre”, u shpreh qytetari.

Një tjetër protestues i drejtoi një thirrje ambasadorit Eric Wendt: “Zoti Eric Wendt, kur një diktator e shtyp popullin e vetëm, cila është rruga për ta rrëzuar? Është protesta dhe ne kemi protestuar deri në fund. Të lutem ambasador parandalo çdo incident, ne jemi popull proamerikan, kemi nevojë për aleatët tanë.”

Qytetarët u grumbulluan në orën 19:00, siç ishte njoftuar më parë për ndryshimin e orarit. Siç raportohet, një pjesë e protestuesve kanë vendosur të qëndrojnë për 24 orë para Kryeministrisë që prej protestës kombëtare të së shtunës.

Kërkesat e qytetarëve vazhdojnë të jenë të pandryshuara që nga dita e parë, duke shoqëruar tubimin e tyre me thirrje si: “Rama n’burg, Berisha n’burg.”

Protestuesit, të cilët ndodheshin në shesh, nisën marshimin duke kaluar edhe pranë ‘Fan Zone’ në qendër të Tiranës. “Ne po bëjmë revolucion, s’ka Botëror që na ndalon”, ishte thirrja e tyre ndërsa kalonin pranë zonës së tifozëve.

Ndërkohë, një nga folësit me megafon lajmëroi se nesër në orën 10:00 do të mbahet një tjetër aksion para Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, duke ftuar edhe sindikatat për t’u solidarizuar me ta.