Klubi letrar “Pjetër Budi”, Mat, në bashkëpunim me Bibliotekën “Pjetër Budi”, Mat, mbyllën siparin e veprimtarive për këtë vit kalendarik me promovimin e dy librave të aotores së re matjane Elona Basha. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat, që mban emrin e instrumentistit virtuoz Ymer Neli, “Mjeshtër i Madh”, i ndarë para pak ditësh nga jeta, për të cilin u mbajt një minut heshtje nderimi.
Për librin me poezi “Lër shpirtin të flasë” referoi redaktori i këtij libri Hamdi Hysuka, ndërsa për librin në prozë “Nën hijen e realitetit” Renato Totraku përcolli shkrimin e analistit Martin Deda.
Diskutatët që morën fjalën si shkrimtarët Bajram Canameti, Basir Bushkashi, mësuesi Abaz Cakoni, publicisti dhe shkrimtari Qemal Cenaj, shkrimtari Ermal Lala, drejtoresha e QKF Anduena Sefgjini, Përgjegjësja e Bibliotekës Mat Fiqerete Kurti vlerësuan me nota pozitive vargun poetik të autores Elona Basha dhe në veçanti e përgëzuan atë për mesazhet që përcjell përmes prozës poetike në librin e saj të dytë “Nën hijen e realitetit”.
Për ta njohur më në detaje penën e Elona Bashës, nxënësit frekuentues të Bibliotekës publike Mat recituan dhe sollën për të pranishmit pjesë nga të dy librat e saj.
Ndërsa në emër të shkollës ku punon autorja, drejtoresha Marjola Elezi e përgëzoi Elonën për krijimtarinë dhe i dhuroi një buqetë me lule.
Në fund të takimit promovues autorja Elona Basha falenderoi të pranishmit, redaktorin e të dy librave të saj si dhe diskutantët për vlerësimin që i bënë, duke u shprehur se kritikat e tyre do t’i vlejnë shumë në botime të tjera të ardhshme të saj.