Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet për akuzën e pastrimit të parave për Emiljano Shullazin dhe biznesmenin Ylvi Beqja.

Hetimet nisën në dhjetor të vitit 2018 dhe me kërkesë të Prokurorisë hetimet janë pushuar pasi nuk janë gjetur elementë të veprës penale.

TË DËNUARIT:

Emiljano Shullazi 14 vjet

Gilmando Dani 12 vjet burg

Endri Qyqa 10 vjet burg

Endri Zela 10 vjet burg për

Blerim Shullazi 9 vjet burg

ISH-HOTEL VOLLGA

Prokuroria e Krimeve të Rënda gjate pretencës per Shullazin, numeroi kërcënimin e biznesmenit Ylvi Beqja për çështjen e ish-hotel “Vollgës” në Durrës.

Kështu, Prokuroria e pranon se ka qenë vetë biznesmeni Ylvi Beqja, i cili mbronte interesat e “Saudi Brothers”, që ka kërkuar ndihmë te Emiljano Shullazi për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Sipas Prokurorisë, Ylvi Beqja kishte disa procese gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës”, pasi godina pretendohej edhe nga një palë tjetër, shtetasi Zamir Hasa. Në vitin 2014, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ylvi Beqja, përmes një personi, ka zhvilluar një takim me Emiljano Shullazin.

Takimi është zhvilluar në një makinë përpara shtëpisë së Shullazit tek ish- “Parku i Autobusëve” në Tiranë. Beqja i ka kërkuar Emiljano Shullazit që ta ndihmojë që të regjistrojë ish-hotel “Vollgën” në Hipotekën e Durrësit. Në këmbim të kësaj ndihme që i pandehuri do t’i jepte, do të përftonte 20 për qind të pjesës së pasurisë. Ky vullnet i shprehur në bisedë është bërë dhe me akt noterial, ku nënshkrues janë shtetasi Ylvi Beqja dhe i pandehuri Emiljano Shullazi.

Më vonë në kohë, pas lidhjes së kësaj marrëdhënieje kontraktuale, i pandehuri Emiljano Shullazi ka ndërruar mendje dhe me kanosje, duke përdorur dhunën verbale dhe fizike, ka kërkuar që vlera e pasurisë që do t’i kalonte nuk do të ishte më në vlerën e caktuar prej 20 për qind, por do të ishte në vlerën prej 30 për qind. Kundrejt përdorimit të armës dhe me kërcënim, shtetasi Ylvi Beqja është detyruar të nënshkruaje para noteres Aida Spahiu kontratën e dhurimit në vlerën prej 30 për qind.

Në të gjitha rastet e takimit të shtetasit Ylvi Beqja me të pandehurin Emiljano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, shtetasi Ylvi Beqja ka parë që Emiljano Shullazi të ketë qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin dhe personat. Ndër personat që kanë shoqëruar të pandehurin Emiljano Shullazi në takimet e tij me shtetasin Ylvi Beqja, ky i fundit ka mundur të identifikojë të pandehurit Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.

Edhe prania e këtyre shtetasve të tjerë të marrë si të pandehur, por dhe personave të tjerë që vazhdojnë të jenë në hetim, ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim për shtetasin Ylvi Beqja. Emiljano Shullazi ka kërkuar nga shtetasi Ylvi Beqja shuma të mëdha parash. Në kërkimin e bërë për këto shuma parash ka marrë pjesë dhe shtetasi Gilmando Dani, si dhe persona të tjerë, të cilët kanë rolin e tyre në kryerjen e veprimeve. Në këtë mënyrë, Gilmando Dani ka pasur kontakte telefonike me shtetasin Ylvi Beqja, ku i ka kërkuar dhënien e sasisë monetare.

Sipas deklarimeve të dhëna nga shtetasi Ylvi Beqja, ky shtetas pretendon t’i ketë dhënë sasi të mëdha monetare shtetasit Emiljano Shullazi dhe bashkëpunëtorëve të tij, si Gilmando Dani etj. Ndër personat e përfshirë në këtë veprimtari janë dhe shtetasit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Këta kanë qenë të pranishëm në disa momente, kur shtetasi Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare.

Ata kanë përfituar sasi monetare me çek nga Ylvi Beqja nëpërmjet bankës dhe konkretisht te një bankë ku rezulton që, më datë 05.12.2014, ka tërhequr një sasi monetare prej 25.000 eurosh dhe më datë 15.12.2014, i pandehuri Endrit Zela ka tërhequr një sasi monetare prej 25.000 eurosh, i pandehuri Gilmando Dani, më datë 04.12.2014, ka tërhequr një sasi prej 25.000 eurosh dhe ka tërhequr më datë 15.12.2014, sasinë monetare prej 40.000 eurosh, i pandehuri Endrit Qyqja, më datë 16.12.2014, ka tërhequr sasinë monetare prej 16.000 eurosh.

Nga ana tjetër, shtetasi Ylvi Beqja deklaron t’u ketë dorëzuar kundrejt kërcënimit shuma të mëdha parash jo nëpërmjet bankës. Prokuroria përmend episodin te noteri në Durrës, ku Ylvi Beqja është kërcënuar nga Emiljano Shullazi me pistoletë që të bëhej bashkëpronar i ish-hotel “Vollgës”. Gjithashtu, dyshimet bazohen edhe mbi dëshmitë e Besnik Musait, kunatit të Beqes, ish-badigardit të tij etj.