Një ndër insektet më të rrezikshme të pishës së zezë, Procesionarja e ka mbyllur edhe një cikël jetësor të saj. Periudha më ideale për luftimin e këtij insekti që është nga muaji Dhjetor deri në muajin Mars, ka kaluar e tashmë ajo i nënshtrohet një tjetër procesi, atij të qëndrimit nën tokë.

Edhe këtë vit nuk pati asnjë masë të ndërmarrë nga institucionet përgjegjëse për luftimin e këtij insekti, me asnjërën nga metodat, mekanike, kimike apo biologjike.

Specialistët thonë se procesionarja ka shfrytëzuar temperaturat e larta të muajit Mars, duke çarë qeskën dhe i është drejtuar tokës.

Nëse do të përdorej metoda mekanike me anë të çarjes së qeskës, ajo duhej bërë gjatë muajve të dimrit kur temperaturat zbresin disa gradë nën zero, e nëse do të përdorej metoda biologjike, atëherë duhej vepruar gjatë muajit Mars, kur ajo del nga qeska dhe i drejtohet tokës.

Por asnjë nga këta mënyra nuk është përdorur duke bërë që betejën me insitucionet edhe këtë vit ta fitojë procesionarja e cila vitet e fundit po bëhet akoma më shumë prezente në masivet tona pyjore me pishë të zezë.

Dritan Kurti