Procesionarja apo e njohur ndryshe si krimbi i pishës, është kthyer në problem shqetësues për masivin pyjor me pishë të zezë në vendin e quajtur Fushë Bulqizë. Prej vitesh ky dëmtues është prezent në degat e pishës ku kryen i pashqetësuar ciklin vjetor të tij. Pasi ka kaluar pjesën më të madhe të dimrit në qeskat e ndërtuara në degët e pishës, procesionarja gradualisht nis të dalë prej saj. Me rritjen e temperaturave, ajo rikthehet në tokë, ku qëndron deri nga mesi i muajit Gusht. Më pas, ajo del nga toka dhe kthehet në flutur për tu vendosur në pishë gjatë shtatorit në formën e krimbit. Ky dëmtues është cilësuar si i rrezikshëm dhe se ndikon rëndë në zhvillimin normal të pemës së pishës,. Banorët e Fushë Bulqizës thonë se veç pishës, krimbi po shkon edhe tek pemët e tjera, duke i dëmtuar ekonomikisht. Fatmir Çupi thotë se ky fenomen është kudo ku ka masiv pyjor me pishë të zezë në Bulqizë dhe se krimbat e pishës janë burim alergjie për banorët.
Nga ana tjetër, Çupi kërkon që të merren masa të menjëhershme dhe të pastrohet çdo masiv pyjor me pishë nga procesionarja shkatërruese.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në të gjithë vendin janë më shumë se 150 mijë hektar pishë të zezë të infektuar nga procesionarja.