Është zhvilluar këtë të shtunë procesi i votimit për primaret në Partinë Demokratike të kandidatëve që një pjesë e tyre do të jenë kandidat zyrtar në zgjedhjet e 11 Majit. Në këtë proces për Qarkun Dibër janë 13 kandidatë që kërkuan votën e anëtarësisë për të qenë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 Majit.
Vendet në listën e Partisë Demokratike në Qarkun Dibër do të ndahen mes kandidatëve: Alketa Agolli, Femi Hoxha, Klodian Cami, Ilir Krosi, Basir Çollaku, Hamza Leshi, Kreshnik Çollaku, Përparim Spahiu, Blerta Gazidedja, Ismail Uka, Ferzileta Gjika, Denisa Vata dhe Xhemal Gjunkshi.
Procesi i votimit ishte i ndarë në 4 qendra, Burrel, Klos, Bulqizë e Peshkopi. Janë 6,500 anëtarë me të drejtë vote që do të vendosin se kush do të jetë në listën përfundimtare të 11 Majit nga koalicioni opozitar.
Procesi i votimit ka nisur në orën 8:00 dhe është mbyllur në orën 18:00. Të gjitha kutitët e votimit të primareve do të bashkohen në Peshkopi ku do të numërohen të gjitha votat e anëtarësisë që mori pjesë në këtë proces për zgjedhjen e kandidatëve në garën parlamentare të 11 Majit.
Pavarësisht se vota në primare tregon mbështetjen e figurave politike tek demokratët, ky proces nuk përzgjedh automatikisht ekipin e kandidatëve për deputetë. Vendimi final se kush do të jetë kandidat për deputet i PD-së, kush do të jetë në pjesën e mbrojtur të listës apo në pjesën e hapur, do të merret më 12 mars në Kryesinë e Partisë Demokratike.