Policia e Bulqizës ka nisur procedimin penal ndaj 4 shtetasve, pasi akuzohen për prerje të jashtëligjshme të pyjeve dhe transportim pa dokumentacionin përkatës të lëndës drusore.
Dy shtetasit me iniciale V.D., dhe E.K., 22 vjeç, banues në Bulqizë, akuzohen se gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia dhe specialistët e Shërbimit Pyjor për mbrojtjen e territorit, janë konstatuar duke prerë lëndë drusore në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu procedim penal është nisur edhe ndaj shtetasve R.Sh., 33 vjeç dhe A.C., 52 vjeç. Këta të fundit akuzohen se janë kapur nga shërbimet e policisë duke transportuar me automjetet e tyre, lëndë drusore pa dokumentacion përkatës.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Policia e Dibrës do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm”, – shkruhet në njoftimin e policisë.