Qytetarët e Peshkopisë po përballen me kohë shumë të reduktuar të furnizimit me ujë të pijshëm. Ndonëse ujësjellësi i këtij qyteti ka përfunduar pak muaj më parë dhe premtonte furnizmim 24 orë me ujë, gjatë këtyre kanë patur mungesë.

Në lidhje me këtë situatë, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve për Qarkun Dibër Marjo Bakalli tha se shkak i orarit të kufizuar të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Peshkopisë, është rënia e prurjeve në burim, ndërsa ekipet po verifikojnë nëse ka problematika të tjera rrjeti që nga vepra e marrjes.

Të dyja fazat e ndërtimit të këtij ujësjellësi kanë kushtuar afërsisht 6.8 milion euro. Faza e dytë e investimit është mbyllyr në vjeshtën e vitit të kaluar, duke u trumbetuar se me këtë investim rreth 36 mijë qytetar të Peshkopisë do të kenin 24 orë ujë.

Furnizimi me ujë sigurohet nga burimet e Bjeshkës së Gramës, mali i Korabit. Në muajt e parë të këtij viti, një dëmtim i tubacionit kryesor të këtij ujësjellësi në afërsi të veprës së marrjes bëri që qytetarët të rrin disa ditë pa furnizimn me ujë të pijshëm për shkak se nuk mund të bëhej ndërhyrja si rezultat i pranisë së madhe të dëborës.