Kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në bashkinë e Dibrës, Premtim Kryemadhi, komentoi në edicionin e lajmeve të MCN TV deklaratat e bëra sot nga ambasadorja amerikane Yuri Kim. Kryemadhi u shpreh se i duket absurde dhe ndërhyrje direkte në zgjedhje pyetja që ambasadorja u parashtron kandidatëve të Berishës.
Tashmë fushata është në kulm, dhe jam çdo ditë i angazhuar me qytetarët. Lidhur me deklaratën e ambasadores nuk dua të komentoj. Do të ishte mirë të prisnim një deklaratë të KQZ. Jam në këtë garë me mbështetjen e qytetarëve të Dibrës, me mbështetjen e demokratëve. Dr. Berisha është lideri historik i partisë, por mbështetësit janë demokratët dhe qytetarët e Dibrës. Pyetja e Yuri Kim mu duk absurde. Në daljet publike dhe takimet me qytetarët ata e dinë çfarë u premtojmë. U premtojmë shërbime dhe administratë jo të korruptuar. Sot bashkitë janë pa opozitë, me këshilltar të një krahu, pa oponencë. E konsideroj si ndërhyrje direkte, absurde. Jemi në periudhë zgjedhore dhe KQZ të reagojë. Nuk besoj se do ndikoj në rezultat dhe mbështetjen që do më japin qytetarët. SHBA-të duhet të presin nga këto zgjedhje rikthimin e pluralizmit, pasi mungon veçanërisht në pushtetin lokal. Besoj që qytetarët më 6 mars do ta sjellin ndryshimin”, tha Kryemadhi.
Më herët përmes një postimi në “Twitter” Kim pyeti kandidatët e Berishës, “nëse mbështetësi juaj kryesor është shpallur “non grata” për korrupsion, çfarë po u premtoni votuesve?”