Prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, në një intervistë për Mat TV, ka bërë një vlerësim të situatës aktuale në tërë qarkun në lidhje me efektet e motit të keq. Ai konfirmoi se të katër bashkitë e qarkut Dibër kanë hasur në sfida të ndryshme për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe borës. Autoritetet lokale janë angazhuar intensivisht për të ndihmuar banorët që janë përfshirë në zonat e izoluara nga rrëshqitjet e rrugëve. Shehu tha se edhe OSHEE dhe OST kanë mobilizuar ekipet e tyre për riparimin e rrjeteve elektrike aty ku kishin ndodhur dëmet. Në deklaratën e tij, Prefekti Shehu bën të ditur se aktualisht nuk ka asnjë fshat të izoluar apo pa furnizim me energji elektrike në qarkun e Dibrës.

Në lidhje me rrëshqitjen e tokës në lagjen “Kodra e Kukajve”, në fshatin Kloskatund të bashkisë Klos, Prefekti Shehu garantoi se firma kontraktuese është duke punuar intensivisht për hapjen e rrugës nacionale Klos-Bulqizë, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e kësaj situate.