Kategoria Superiore do të ngre siparin këtë të premte me super sfidën e javës së parë që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” mes Kukësit dhe Partizanit.

Pas finales së Superkupës, të dyja ekipet do të përballen sërish me njëra tjetrën në rrugën e tyre drejt Kategorisë Superiore – ku të kuqtë do të kenë si objektiv mbrojtjen e titullit kampion , ndërsa verilindorët do të synojnë thyejnë kampionët.

Ky sezon i ri i gjen shumicën e skuadrave të Superligës me shumë ndryshime në postet e trajnerit – ku nga 10 ekipe gjashtë prej tyre kanë marrë trajnerë të rinj.

PARTIZANI- Të kuqtë ia kanë besuar drejtimin e skuadrës për sezonin 2019-2020 trajnerit italian Frako Lerda, i cili zëvendësoi në këtë pozicion Skënder Gegën i cili bëri një punë të jashtëzakonshmë sezonin e kaluar tek “demat e kuq” duke iu rikthyer titullin kampion pas 26 vitesh. Gega u largua në fund të sezonit për shkak të problemeve familjare dhe vendin e tij drejtuesit e kuq ia besuan italianit Lerda, i cili udhëhoqi ekipin në Kupat Europës duke mos arritur dot që të kalonte asnjë tur, ndërkohë që javën e kaluar arriti që të fitonte trofeun e parë në stolin e Partizanit, atë të Superkupës së Shqipërisë. Tashmë sfida më e madhe e Lerdës do të jetë mbrojtja e titulli e cila do të nisë që këtë javë kundër nënkampionëve të Shqipërisë.

KUKËSI- Presidenti Safet Gjici i njohur për ndryshimet e shpeshta që iu trajnerëve gjatë një sezoni, këtë vit ia ka besuar këtë pozicion një emri të njohur, Shpëtim Duros. Duro e mori drejtimin e Kukësi pas largimit të Ernest Gjokës, i cili i shkarkua pas eleminimit nga Debreceni në eleminatoret e Europa League. Shpëtim Duro është një trajner me eksperiencë të gjatë në Superiore duke fituar dhe tituj kampion dhe të njëjtën gjë premtoi dje gjatë prezantimit të tij ku deklaroi se objektivi i skaudrës së tij do të jetë rikthimi tek titulli kampion.

VLLAZNIA- Kuqeblutë rikthehen në elitën e futbollit shqiptar pas një viti në Kategorinë e Parë që shënoi dhe periudhë më të errët per klubin e Vllaznisë. Por, pavarsisht rikthimit në Superiore situata është sërish e trazuar në Shkodër pasi deri më tani ekipi është pa president çka ka sjellë një pasiguri, megjithatë drejtuesit e klubit kanë ndërhyrë në merkato duke afruar disa lojtarë me eksperiencë, ndërkohë që drejtimin e ekipit ia kanë besuar Mirsad Jounuz.  Trajneri maqedonas gjatë karrierës së tij ka drejtuar disa ekipe te njohura në kampionatin e vendit të tij duke drejtuar  disa disa skuadra si Rabotniçki, për të vazhduar me Pobeda Prilep, para se të merrte drejtimin e kombëtares U21 të Maqedonisë të cilën do ta drejtonte nga vitet 2003-2009.

FLAMURTARI-  Vlonjatë janë për momentin klubi më i çuditshëm në këtë prag nisje të sezonit të ri, pasi ende nuk kanë arritur që të kenë ende një trajner të ri. Para pak javësh presidenti Sinan Idrizi prezantoi në krye të ekipit Gerd Haxhiun, por ky i fundit nuk qëndroi më shumë se një javë në ketë detyrë pasi vendosi të largohej për shkak të krizës financiare. Pritet që këto ditë Idrizi të emërojë timonierin e ri, i cili do të një punë tepër të madhe për të rikthyer ekipin në shinat e duhura pas gjithë kësaj krize që ka përfshirë vlonjatët.

SKËNDERBEU- Ekipi i Skënderbeut në këtë sezon ne Superiore është e vetmja skuadër që luan pa asnjë objektiv. Korçarët janë dënuar nga UEFA me 10 vite përjashtim nga Kupat e Europës dhe 1 milion euro gjobë për trukimet e ndeshjeve që kane kryer. Vendim i cili i la në fuqi dhe nga CAS-i. Kjo bëri që numër i madh lojtarësh të largohen, por në postin e trajnerit u vendos një nga trajnerët më të mirë siç është Ilir Daja, i cili është shpallur dhe kampion me bardhekuqtë. Praktikisht Ilir Daja do të drejtojë një ekip që çfardolloj objektivi që mund të arrijë në Superiore është i pavlefshëm.

LUFTËTARI- Edhe klubi gjirokastrit nuk ka kaluar një verë të qetë pasi është përfshirë nga një val e nxehtë ndryshimesh. Presidenti Grigor Tavo vendosi që të dorëhiqej nga ky pozicion për shkak të krizës së tij financiare duke e lënë ekipin mes “katër rrugëve”. Drejtimin e ekipit vendosi ta marrë biznesmeni Bekim Halili, i cili caktoi në rolin e trajnerit një emër të njohur si Klevis Dalipi. Dalipi është një nga trajnerët e rinj të Superiores, por që ka treguar që është i sukseshëm. Ai ka drejtuar në mënyrë dinjitoze ekipin e Partizanin duke marrë vlersimet e specialistëve të futbollit. Ndërkohë, që tek Luftëtari do të ketë një mision të vështirë, por jo tē pamundur siç është mbijetesa.

EKIPET E TJERA- Në këtë sezon të ri, Teuta, Laçi, Bylis dhe Tirana kanë vendosur që tu besojnë të njejtëve trajnerë që i drejtuan dhe sezonin e kaluar.

Teuta do të drejtohet sërish nga trajneri korçar Bledi Shkëmbi, Tirana nga Ardian Mema, Laçi nga Sulejman Starova dhe Bylis nga Vejlko Dovedan. (Fatjon Baze)