Home Blog Page 12

Futboll / Burreli fiton ndaj Pogradecit dhe largohet 10 pikë nga Lushnja

0

  Ndonëse me rezultatin minimal 1 me 0, fitorja e së dielës së 9 marsit, në stadiumin “Liri Ballkabani” të qytetit të Burrelit, i ka shërbyer shumë skuadrës matjane që të largohet me 10 pikë nga skuadra pasardhëse. Ka qenë Rrapi ai i cili ka shënuar golin e vetëm të kësaj përballje në minutën e 13, për tu mbyllur gjithçka në shifrat: Burreli 1 e Pogradeci 0.

Ndërkohë, këto tri pikë e marra nga Burreli e çojnë skuadrën e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj në kuotën e 47 pikëve, duke e mbajtur 10 pikë larg Lushnjës dhe Pogradecit që janë me nga 37 pikë.

Nga ana tjetër, barazimi 1 me 1 i ekipit të Vorës në Fier me Apoloninë ishte surpriza e javës, pasi me fitoren ndaj Kastriotit 2 me 1, Flamurtari i është afruar me 2 pikë diferencë vendit të parë, Vorës.

Ekipi i Korabit fitoi 2 me 1 ndaj Valbonës në ndeshjen e luajtur në qytetin “Bajram Curri”, ndërsa ekipi i Kukësi fitoi 3 me 0 në përballjen me Erzenin e Shijakut ndeshje e zhvilluar në Fushë Krujë.

Ekipi i Besës mundi thellë dhe pastër 3 me 0 ekipin e Lushnjës. Tashmë gara për vendin e parë të kategorisë është hapur pasi Vora ka 67 pikë, ndjekur nga Flamurtari me 65 pikë dhe Besa me 58 pikë.

Gara për mbijetesën po zhvillohet mes ekipi të Kukësit dhe Korabit që kërkojnë t’i shpëtojë “play-out”. Të dyja skuadrat janë në ndjekje të Apolonisë dhe Kastriotit. Pa shpresa për këtë kampionat futbollistik të kategorisë së parë mund të quhen ekipi i Valbonës dhe ekipi i Erzenit që mbyll tabelën e renditjes.

Pas metalurgëve të Burrelit, edhe minatorët e Bulqizës në protestë

Pak ditë pasi protestuan për shkelje të kontratës së punës metalurgët e uzinës së Ferrokromit në Komsi të Matit, të njëjtën gjë kanë bërë edhe minatorët e minierës më të madhe në Bulqizë, e cila administrohet nga kompania turke Yıdırım Holding.

Shkak i kësaj proteste të kësaj të hëne ka qenë pasi minatorëve të Bulqizës u është komunikuar se në muajt në vazhdim do të tu shtohet puna edhe të shtunave, por jo vetëm. Ata pretendojnë se nuk është zbatuar kontrata për rritjen e pagave, gjë kjo që ka qenë në kontratë prej fillimit të janarit si dhe nuk është dhënë 4% i inflacionit të akorduar nga shteti.

Minatorët e Bulqizës nuk janë lejuar të protestojnë në afërsi apo brenda ambjenteve të minierës, ndaj zgjodhën të bojkotojnë punën këtë të hënë.

Nuk dihet nëse rezistenca e minatorëve të minierës më të madhe në vendin tonë do të vijojë apo kompania do të plotësojë kërkesat e tyre. Megjithatë, kjo është hera e parë, pas shumë vitesh, që minatorët, që punojnë në galerinë e kromit më të madhe në Bulqizë, të ngrejnë zërin për të drejtat e tyre. Pak vite më parë një sindikatë, e krijuar nga minatorët që punonin aty, u shkri, pasi drejtuesit e saj u larguan nga puna.

Nesër në “Liri Ballabani”, Burreli vs Pogradeci

0

Të dielën e 9 Marsit do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 27 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Burreli do të presë në orën 14:00, në stadiumin “Liri Ballabani”, ekipin e Pogradecit i cili gjendet një vend më poshtë se ekipi i Lushnjës dhe me 37 pikë të grumbulluara në 26 javë kampionat. Diferenca me skuadrën matjane është vetëm 7 pikë po aq sa Lushnja e kjo e bën përballjen të vështirë.

Megjithatë, futbollistët e Burrelit, të drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj, synojnë të marrin pikët e plota edhe në këtë ndeshje për të vijuar të mbajnë vendin e katërt të klasifikimit. Pas fitores në mesjavë ndaj Lushnjës, Burreli është gati të marrë tri pikët edhe në këtë përballje.

Skuadra matjane ka marrë udhëzimet e fundit këtë të shtunë, teksa i është kërkuar që të mos bëjë asnjë gabim në fushën e gjelbër dhe të vlerësojë maksimalisht skuadrën kundërshtare. Gjithsesi mbetet për tu parë rezultati i këtij takimi pas përfundimit të 90-të minutave lojë që do të zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit të Burrelit.

Përballjet e tjera të kësaj jave janë: Besa – Lushnja, Vora – Apolonia, Flamurtari – Kastrioti, Valbona – Korabi dhe Erzeni – Kukësi.

“Me rulot nëpër botë”, familja holandeze e cila prej 8 muajsh shtëtit në disa vende, për tu ndalur edhe në Shqipëri

Erik dhe Sana janë 36 dhe 32 vjeç vijnë nga Holanda bashkë me dy fëmijët e tyre të vegjël. Ata kanë nisur një udhëtim i cili do të zgjasë më shumë se një vit dhe këtë nuk e kanë bërë duke qëndruar nëpër hotele, por në një kamper në të cilin kanë kushtet e nevojshme për të qëndruar. Pas qëndrimit në disa shtete si në Greqi, Turqi, Rumani ata janë ndaluar së fundmi në Shqipëri.Erik thotë se gjatë qëndrimit në Shqipëri kanë vizituar disa qytete dhe janë befasuar nga çdo gjë. Ata po vizitojnë Matin ku janë ndalur në qytetin e Burrelit, teksa vlerësojnë mikpritjen matjane.

 “Dimrin duhej ta kalonim diku, dhe vendosëm ta kalojmë në Turqi, Greqi, ballkanin sepse temperaturat janë të larta, ka diell në dimër. Pas greqisë ne po qëndrojmë në ballkan për të parë disa vende. Ne vendosëm të vinim në Shqipëri pasi kemi një mik të ngushtë atje në hollandë. Miku jonë i dashur e ka emrin Soni. Ne menduam që ta vizitonim shtetin e tij dhe kemi dëgjuar shumë histori të bukura. Kemi qenë në Përmet, Gjirokastër, Ksamil, Durrës. Njerëzit këtu janë të dashur, miqësorë dhe donim të kalonim kohë të mirë. Është shumë bukur të shikosh dhe të jesh pjesë e saj. Tani jemi këtu në Burrel”.

Për 32-vjeçaren Sana, ky është një ndër udhëtimet që familja e saj do ta mbajë mend gjatë. Edhe pse në hapsirë shumë të vogël, Sana thotë se ka arritur që të ambjentohet me jetën në kamper. 32-vjeçarja shton se kjo e ka lidhur shumë ngushtë familjen.

 “Ne kemi nisur udhëtimin në muajin Gusht. Kemi lënë shtëpinë për një vit për të udhëtuar dhe për tu kënaqur mesa më shumë mundësi të jetë e mundur. Ne po eksplorojmë europën pasi është shumë bukur këtu. Kemi qëndruar për një kohë në Rumani, pastaj tre muaj në Turqi, në Greqi e tashmë në Shqipëri.

Bota është shumë e bukur dhe ne po e shohim atë me fëmijët tanë. Është bota e tyre dhe po e jetojnë edhe ata.

Është e vështirë të jesh me shumë njerëz në kamper pasi është shumë e ngushtë. Për 2 – 3 muajt e parë ishte jetë e vështirë por duhet të mësohesh të përshtatesh t’i bësh gjërat. Por kjo na ka lidhur shumë, saqë kur flasim me miqtë tanë, jut hemi që nuk jemi katër, por jemi një. Jemi lidhur aq shumë, sikur njëri të largohet ne e ndjejmë mungesën. Jam e lumtur që kjo është pjesë e jetës tonë tashmë”.

Pas qëndrimit në Burrel, udhëtimi i familjes nga Holanda do të vazhdojë edhe në disa shtete të tjera, deri në plotësimin e periudhës së planifikuar për pushime.

8 Marsi / Feride Elezi, 90-të vjeçarja që s’ka festuar kurrë

  8 Marsi është i njohur ndërkombëtarisht si Dita e Gruas, ku prej më shumë se një shekulli po festohet, ndryshe nga zanafilla e saj që ishte protestë për të drejtat e tyre. Por për 90-vjeçaren, Feride Elezi, nga fshati Strikçan i Bulqizës, 8 Marsi është një ditë e zakonshme, as festë e as protestë. E moshuara thotë se kurrë nuk e ka festuar 8 Marsin, ndërsa pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar duke i shërbyer vajzës së saj e cila vuan nga nanizmi. Mes halleve e mundimeve të shumta, nënë Feridja shprehet se përballet me probleme ekonomike për shkak të të ardhurave të pakta. Ajo nuk di çfarë është 8 Marsi pasi nuk e ka festuar kurrë.

Fqinjët e Ferides tregojnë se e moshuara kujdeset për vajzën e sëmurë 40-vjeçare, ndërsa nuk e shohin të festojë ndonjëherë festa. Ata i bëjnë apel institucioneve që ta ndihmojnë familjen Elezi, nga fshati Strikçan i Bulqizës, e cila ka, më shumë se kushdo tjetër familje në zonë, nevojë për ndihmë.

Nëse pjesa më e madhe e grave në ditën e 8 Marsit festojnë, ka edhe raste që nuk arrijnë të festojnë, si nënë Feridja, e cila po sfidon hallet e jetës me shumë heroizëm.

Rezultatet përfundimtare të regjistrimeve në diasporë, 9,603 zgjedhës nga Qarku Dibër

  Ka përfunduar i gjithë procesi i regjistrimeve në diasporë pas shqyrtimit të kërkesave të fundit që ishin bërë me datë 4 Mars. Numri total i shqiptarëve të diasporës që janë regjistruar në platformën “PER” të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shkuar në 245,975 shtetas, të cilëve do t’ju shkojë fleta e votimit. Ndërkohë, janë 9,603 zgjedhës nga Qarku Dibër që jetojnë në vende të ndryshme të botës që duan të bëhen pjesë e procesit të votimeve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në vendin tonë.

Po t’i referohemi të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për parlamentaret e vitit 2021, qytetarë me të drejtë vote janë 131,225 shtetas ku 69,133 kanë votuar në zgjedhjet e fundit për pushtetin qendror.

Nëse do të qëndrojë numri i pjesmarrësve në votime për zgjedhjet e 11 Majit, atëherë për të zgjedhur 5 deputetët përfaqësues të Qarkut Dibër në parlamentin e ri do të votojnë 78,736 qytetarë. Por kjo mbetet për tu parë pasi një pjesë e qytetarëve të regjistruar në diasporë këtë vit, mund të kenë ardhur fizikisht për të votuar në zgjedhjet e 4 viteve më parë.

Me mbylljen e këtij procesi, pritet që partitë politike të depozitojnë listat me emrat e kandidatëve në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve, ndërsa ky i fundit të nisë punën për prodhimin e fletës së votimit.

I apasionuar pas bujqësisë, Naim Topalli shton mjetet bujqësore: dua t’ia lë djalit

Megjithëse është një sektor i cili po përballet me vështirësi të shumta, ka ende fermerë që nuk heqin dorë nga bujqësia. Naim Topalli, nga fshati Vojnik i Njësisë Administrative Maqellarë në Dibër, jo vetëm nuk ka hequr dorë nga bujqësia, por po shton çdo vit mjetet agregate. Naimi tregon se vitet e fundit puna në bujqësi ka rënë ndjeshëm, pasi fshatarët nuk po e punojnë më tokën për arsye të ndryshme që lidhen me koston si dhe me largimin masiv të të rinjëve. Por edhe pse në këto kushte, ai shprehet se nuk do ta braktisë këtë punë pasi ka investuar në blerjen e makinerive bujqësore për shumë procese. Naim Topalli shprehet se me rikthimin edhe të djalit të tij nga italia për të jetuar në vendin tonë, dëshiron që tja transferojë si zanat në mënyrë që të sigurojë të ardhura ekonomike këtu në vendlindje.

  Punimet e pranverës ende nuk kanë nisur, ndërsa Naimi shpreson që këtë vit të ketë më shumë kërkesa për të punuar tokën jo vetëm në fshatin e tij por edhe fshatra të tjerë të Dibrës e Bulqizës.

Lumi i Matit, zona më e ndotur, mbeturinat mbeten në bimësi

Pasojat e hedhjes së mbeturinave pa kriter në zonat rurale, janë më të evidentueshme në shtetërit e përrenjëve apo lumenjëve. Në një situatë të ngjashme ndodhet edhe shtrati i Lumit të Matit që nga ura e Fshatit Fshat deri në hyrje të liqenit të Ulzës.

Siç duket nga pamjet, mbeturina nga më të ndryshmet kanë ngecur në bimësinë e shtratit të lumit kur ky i fundit ka patur prurje të mëdha gjatë shirave të vjeshtës apo dimrit.

Mbetjet janë kryesisht plastike që nga plastmasët e deri tek veshjet e ndryshme. Një pjesë e këtyre mbeturinave të hedhura nga banorët e zonave rurale prej vitesh, janë ndaluar nga bimësia, e një pjesë tjetër ka përfunduar në ujërat e liqenit në Ulzës.

Kjo është evidentuar disa herë teksa kur ka reshje të shumta shiu, sipërfaqja e liqenit të Ulzës e kryesisht pjesë pranë digës së hidrocentralit mbushet me bidona plastikë të produkteve të ndryshme.

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit pak vite më parë nisi një fushatë të gjerë për pastrimin e shtretërve të lumenjve, por ajo përfshiu vetëm një numër të vogël lumenjsh kryesisht në Shqipërinë e Mesme por nuk u shtri në të gjithë territorin.

Veç dëmit që shkakton ndotja tek gjallesat ujore, një tjetër impakt negativ kjo ndotje ka edhe në turizëm.

BULQIZË, PUNOI 25 VITE NË EMIGRACION, TASHMË PO INVESTON SUKSESSHËM NË VENDLINDJE

Një histori suksesi vjen nga fshati Çerenec i Poshtëm, Njësia Gjoricë, Bashkia Bulqizë, ku Xhevat Izvira, pas 25 vitesh emigrimi në Greqi, ka vendosur të rikthehet dhe të investojë në tokën e tij. Me eksperiencën e fituar, ai ka zgjeruar sipërfaqen e tokës së punueshme në 13 dynymë, duke mbjellë pemë frutore si kumbulla, qershi dhe rrush. Eksperiencën e marrë në Greqi, tani do ta implementojë në vendlindje, pasi thotë ai, si vendlindja jote nuk ka. 

Xhevati tregon se shteti në Greqi të ndihmon për gjetjen e tregut, apo dëmtimin e prodhimit, ku fermeri i dëmtuar paguhet rreth 50 % të kostos së shpenzuar. Por këtu në Shqipëri ai thotë se kërkon nga shteti vetëm ta ndihmojë për gjetjen e tregut të prodhimit.

Shqetësimi tjetër që ngre Xhevati është humbja e viteve të pensionit, pasi për 25 vite ka punuar me dokumentacion të rregullt të shtetin grek. Por Xhevati shpreson që të arrihet një marrëveshje mes dy shteteve, si ajo mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në fund, ai ka një thirrje për bashkëatdhetarët e tij: të rikthehen dhe të investojnë në vendlindjen e tyre, sepse, siç thotë ai, “si vendi yt nuk të bëhet asnjë vend tjetër.”

HAPJA E TUNELIT TË MURRIZIT, FERMERËT KLOSJANË: LEHTËSI PËR TREGTIMIN E PRODHIMEVE TONA

Banorë të fshatrave të Klosit që prej hapjes së rrugës së Arbrit po i shesin prodhimet e tyre bujqësore pranë rreth-rrotullimit të fshatit Fshat. Dikur ata i shisnin në rrugën e vjetër nacionale nga Ura e Fshatit në Qaf Buall.

Për shkak se këta banorë nuk kanë ferma të mëdha, që do të kishin shumë prodhim, prodhimin bujqësor familjar e shesin në rrugë për kalimtarët e rastit.

Hapja e rrugës së Arbrit  ka qenë mundësi shumë e mirë për fermerët klosjanë, por ata thonë se me hapjen edhe të tunelit të Murrizit do ta kenë akoma më të lehtë të shesin prodhimet e tyre. Njëra nga fermerët, Lule Zhuku shprehet se të gjitha produktet që tregton janë të familjes së saj. Pas hapjes së tunelit, ajo thotë se do ta ketë më të lehtë të shkojë t’i shesë edhe në kryeqytet.

Gjatë rrugë së Arbrit, nga Peshkopia deri në Tiranë janë disa tregtarë ambulantë që kanë zgjedhur të shesin prodhimet e tyre bujqësore tek kalimtarët e rastit, por pika më e përqendruar e këtyre prodhimeve bujqësore është tek rrethrrortullimi në fshatin Fshat, ku bashkohet rruga e Arbrit me rrugën lidhëse me qytetin e Klosit.