Në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik në të gjithë vendin, efektivët e policisë rrugore kanë shtuar kontrollet në akset nacionale, por edhe ato urbane.
Efektivët e qarkullimit rrugor të Qarkut Dibër po ushtrojnë kontrolle të shumta në rrugët nacionale duke u zhvendosur gjatë gjithë kohës në disa pika kyçe.
Burime pranë sektorit të qarkullimit rrugor në drejtorinë vendore të policisë Dibër bëjnë me dije se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar 70 drejtues automjetesh me masa administrative për tejkalim shpejtësie, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe përdorim të celularit gjatë lëvizjes.
Po ashtu 5 drejtuesve të mjeteve ju është pezulluar leja e drejtimit deri në 14 muaj.
Kontrollet do të vazhdojnë pa ndërprerje në të gjithë Qarkun e Dibrës si në rrugët nacionale ashtu edhe në zonat urbane. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të zbatojnë kodin rrugor pasi në të kundërt do të përballen me dispozitat e tij, e nëse do të konstatohen me mjet pa dokumentet e nevojshme ai do tju sekuestrohet dhe nuk ju kthehet më.