Policia e shtetit është e vendosur që asnjë mjet të mos lëvizë në aksin nacional Bulqizë Milot mbi tonazh. Efektivët e policisë së Komisariatit të Bulqizës të stacionuar në Qafën e Buallit vijojnë kontrollet ndaj mjeteve të transportit të kromit, për të mos i lejuar ata të lëvizin me një peshë të përgjishme më shumë se 44 ton. Aktualisht dy mjete të cilat ishin mbi këtë tonazh janë bllokuar nga policia e Bulqizës. ata ndodhen në komisariatin e këtij qyteti për veprime të mëtejshme.
Por fokusi i bluve të Bulqizës nuk është fokusuar vetëm tek mjetet që lëvizin mbi tonazh. Në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera përgjegjëse, policia ka bërë të mundur edhe ndalimin e bllokimin e disa mjeteve që transportonin lëndë drusore kontrabandë.
Pak ditë më parë drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë protestuan duke kërkuar që të pranohej pesha sipas lejes së qarkullimit, por ky pretendim i tyre nuk është marrë parasysh nga policia.