Fshati Gurë i Bardhë në Njësinë Administrative në Bashkinë e Klosit është një ndër 100 fshatrat e shpallur turistik nga qeveria. Banorët janë në pritje të këtyre investimeve, e nga ana tjetër fshati kërcënohet me ndërtimin e dy hidrocentraleve në përroin e Gujës. Për këtë dhjetra banorë u mblodhën në protestë për të kundërshtuar këtë projekt i cili sipas tyre, do të shkretojë gjithë fshatin. Ata kërcënuan se do ta mbrojnë ujin me çdo çmim dhe se nuk do të lejojnë firmën e cila ka këtë projekt për të nisur punimet. Banorët janë në pritje të investimeve në turizëm e jo të ndërtimit të hidrocentraleve apo guroreve në zonë. Resurset e mëdha të zhvillimit të agroturizmit e kanë bërë qeverinë ta përzgjedhë ndër 100 fshatrat turistik ndaj banorët i kërkojnë asaj anullimin e lejes. Në mbështetje të banorëve ishte edhe Këshilltari Këshillit Bashkiak të Klosit Kasem Muça. Ai tha se kauza e tyre për të mbrojtur këtë burim ujor është e të gjithëve, duke përfshirë edhe fshatrat e tjerë të njësisë administrative Xibër. Në mbështetje të banorëve të fshatit Gurë i Bardhë ishin edhe banorë të fshatit Shkallë si dhe ish drejtues te Njësisë Administrative Xibër.