Rekamë

   Eshtra njerëzore, të dala në sipërfaqe gjatë hapjes së rrugës së Arbrit, vijojnë të qëndrojnë mbi tokë në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë së Klosit. Banorët thonë se ato u dëmtuan në fillimet e hapjes së rrugës së Arbrit rreth një dekadë më parë, ndërsa që prej atëherë nuk është interesuar askush për rigroposjen e tyre. Hapja e kësaj rruge është bërë për nevojë të zbritjes në segmentin e urës së Vashës. Haqif Skordha tregon që firma e punimeve megjithëse ishte paralajmëruar vite më parë se aty ka varre, nuk e mori parasysh, ndërsa mjetet hapën rrugën për të zbritur në segmentin e rrugës së Arbrit. Por edhe në këto 12 vite, asnjë institucion nuk e ka marrë mundimin për t’i sistemuar këto varre, duke bërë që eshtrat humane të jenë të ekspozuara në sipërfaqe.

Banorët kanë kërkuar vazhdimisht nga institucionet që të ndërhyjnë dhe të bëjnë të mundur jo vetëm rivarrimin e këtyre eshtrave, por edhe ndërtimin e një muri në mënyrë që varret e tjera aty të mos dëmtohen më.