Pezullohet Kompania e Kateringut Pas Helmimit të Studentëve të Akademisë së Sigurisë

Pezullohet Kompania e Kateringut Pas Helmimit të Studentëve të Akademisë së Sigurisë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka pezulluar aktivitetin e kompanisë së kateringut SORI-AL, e cila operonte në Akademinë e Sigurisë. Ky vendim vjen pas helmimit të rreth 60 studentëve për të dytën herë brenda pak ditësh.

Menjëherë pas ngjarjes, ekipet e AKU-së kryen verifikime në subjektin SORI-AL, i cili ofron shërbim katering në Akademinë e Sigurisë në Sauk, si dhe në Garnizonin “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.

Gjatë inspektimeve në Akademinë e Sigurisë, u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion të rregullt shoqërues. Megjithatë, u krye kampionimi i 14 mostrave të ushqimit (7 nga dreka dhe 7 nga darka) nga kampionet në ruajtje të produkteve të gatshme të përpunuara pranë Garnizonit “Skënderbej”, të konsumuara në datën 24.06.2026 pranë Akademisë së Sigurisë. Këto mostra u dërguan për analizim mikrobiologjik pranë laboratorit të ISUV.

Në vijim të gjurmueshmërisë, inspektimi u shtri edhe në subjektin “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë, ku ishte kryer përpunimi i produkteve. Edhe në këto ambiente u konstatuan kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues. Gjatë kësaj procedure, u morën 14 mostra të ushqimeve të gatuara nga vaktet e drekës dhe darkës së datës 24.06.2026, si dhe 5 mostra tampon për higjienën ambientale dhe të pajisjeve, të cilat gjithashtu u dërguan për analizim pranë ISUV.

Si masë paraprake, në adresën e Garnizonit “Skënderbej” në Tiranë, u mor masa e ndërprerjes së aktivitetit deri në daljen e përgjigjeve të analizave. Gjatë këtyre procedurave të inspektimit ishin të pranishëm edhe institucione të tjera si NJVKSH Tiranë, ISHSH dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, Tiranë, të cilët morën mostra shtesë ambientale në ambiente, pajisje dhe punonjës.