QYTETARËT: UJI VJEN 20 MINUTA NË DITË, PREJ MË SHUMË SE DY JAVËSH
Temperaturat e larta të kësaj vere duket që kanë sjellë pasoja edhe sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm të qyrtetarëve. Ndonëse zona e dibrës është plot me burime ujore për shkak se rrethohet nga malet, qytetarët e Peshkopisë po përballen me mungesë të ujit të pijshëm gjatë këtyre ditëve të nxehta gushti. Vetë qytetarët shprehen se të paktën në dy javët e fundit, uji i pijshëm shkon nga 20 minuta maksimumi një orë në ditë. Qytetarët thonë se kjo situatë nuk ka ndodhur ndonjëherë, ndërsa me investimin e ri që i është bërë ujësjellësit, duhej që të kishin ujë 24 orë. Ata tregojnë se po përballen me mungesë të ujit për konsum dhe se duhet të presin deri në 48 orë që të mbushin ujë për ta patur për pirje në banesat e tyre.
Të pyetur në lidhje me këtë situatë, drejtues të ujësjellës – kanalizimeve Dibër dhe përfaqësues të Bashkisë, thanë se shkak i ardhjes së ujit vetëm pak kohë gjatë 24 orëve është bërë rënia e prurjeve në burimin nga ku furnizohet ujësjellësi i qytetit.