Përplasje të Ashpra në Protestën për Zvërnecin: “Revolucioni i Flamingove” para Kryeministrisë
Dita e katërt e protestave për Zvërnecin kulmoi para Kryeministrisë, duke zgjatur për më shumë se tre orë. Një pjesë e madhe e protestuesve mbanin në duar flamingo kartoni, duke e quajtur lëvizjen e tyre "Revolucioni i Flamingove".
Gjatë protestës, tensioni shpërtheu në përplasje të ashpra mes qytetarëve dhe policisë. Kordoni metalik i vendosur fillimisht te kryqëzimi i Piramidës u thye nga protestuesit, të cilët më pas marshuan drejt Kryeministrisë, duke ngritur një podium ku disa prej tyre morën fjalën.
Ndërsa përplasja agravonte, policia hodhi ujë me autobotë për të shpërndarë turmën, në një përpjekje për të rikthyer rendin.
Në lidhje me situatën, Kryeministri Edi Rama reagoi sërish, duke publikuar dy foto të projekteve të investitorëve nga Katari. Ai deklaroi se të njëjtat investime pritet të realizohen edhe në Zvërnec, duke shtuar se "Nuk sheh syri, sheh mendja" dhe se duhet kuptuar kush vjen në Shqipëri, "jo për ta prishur po vetëm për ta lartësuar".
Nga ana e tij, Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pak para nisjes së protestës, sqaroi se gardhi metalik në Bulevard ishte vendosur si standard i kahershëm për shkak të ndeshjes Shqipëri-Izrael dhe jo posaçërisht për këtë aktivitet protestues.