Përmirësohet moti, “largohet” stuhia “Ciaran”

0
6

   Java ka nisur me përmirësim të kushteve të motit pas një fundjave me stuhi. Mbrëmjen e së dielës vendi ynë u përfshi nga stuhia “Ciaran” me reshje shiu intensive dhe erë të fortë.

Por gradualisht moti erdhi drejt përmirësimit këtë të hënë, ku reshjet e shiut u ndalën.

Rrugët nacionale kanë qenë të gjitha të kalueshme pas ndërhyrjes së bërë nga autoritetet. Aksi i rrugës së Arbrit ka funksionuar paprobleme për të gjithë Qarkun Dibër.

Ndërkohë, grupet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po punojnë në terren për të rikthyer rrymën në ato zona ku ka patur dëmtim të rrjetit përcjellës dhe transformatorëve.

Situatë problematike mbetet në zonat rurale. Vërshimet e ujërave të shiut kanë gërryer rrugët e paasfaltuara, duke vështirësuar qarkullimin e banorëve drejt zonave urbane.

Ndërkohë, reshjet e fundjavës kanë shtuar prurjet në lumin Mat, të cilat pritet të ndikojnë në rritjen e rezervave ujore në basenet e hidrocentraleve Ulëz e Shkopet. Sinoptikanët parashikojnë që kushtet atmosferike do të jenë të qëndrueshme deri ditën e Mërkurë, ku pritet rikthimi i shiut me intensitet të lartë.