Përmbyllet Vettingu, Kreu i SPAK Braho: Një Domosdoshmëri për Besimin e Qytetarëve tek Drejtësia

Përmbyllet Vettingu, Kreu i SPAK Braho: Një Domosdoshmëri për Besimin e Qytetarëve tek Drejtësia

Ceremonia Përmbyllëse e Procesit të Vettingut ka mbledhur figurat kyçe të drejtësisë, ku kreu i SPAK, Klodian Braho, mbajti një fjalë të rëndësishme para gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Braho e vlerësoi procesin e Vettingut si një domosdoshmëri thelbësore që qytetarët të rifitojnë besimin tek institucionet e drejtësisë. Ai theksoi se Vettingu ka ndikuar në ripërtëritjen e sistemit të drejtësisë, duke shtuar se besimi i publikut nuk mund të kërkohet pa përgjegjshmëri individuale.

“Standardet e Vettingut reflektohen dhe në punën e përditshme. Gjyqtarët dhe prokurorët tashmë kanë kaluar në filtra të sigurt, që qytetarët të krijojnë besim tek drejtësia. Dua të falënderoj të gjithë ata, që morën pjesë në këtë proces historik,” deklaroi kreu i SPAK.

Për SPAK-un, procesi i Vettingut ka pasur një rol të veçantë. “Tashmë drejtësia përfaqëson interesin publik me profesionalizëm e me paanshmëri. Institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi tashmë kanë pjekurinë e duhur. Tani duhet që të ruajmë standardet që kemi arritur,” përfundoi Klodian Braho.