Me 31 Korrik të vitit 1943 në Mat do të organizohej një kryengritje mbarëpopullore kundër okupatorit fashist, që do bënte të mundur edhe çlirimin e Matit. Pikërisht për këtë ngjarje të madhe historike, këtë të Mërkurë u zhvillua edhe një ceremoni zyrtare për të përkujtuar 31 Korrikun si datën më të rëndësishme të Matit. Në ceremoninë e zhvilluar pranë Muzeut Historik Mat, i pranishëm ishte Kryetari në Detyrë i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, kryetari i zgjedhur me 30 qershor për Bashkinë Mat, Agron Malaj, nënprefekti i Matit Hasan Pasha, drejtues të Organizatës së LANÇ-it Mat, të familjeve të dëshmorëve, pasardhës veteranësh, drejtues institucionesh të tjera etj. Fjalën e rastit e mbajti Përgjegjësja e Muzeut Historik Mat, Suzana Kurti.
Më pas përshëndeti kryetari në detyrë i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani dhe Kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it Mat, Rexhep Sana.
Më pas të pranishmit zbatuan protokollin zyrtar për të vendosur kurorat e buqeta me lule pranë lapidarit që simbolizon kryengritjen mbarëpopullore matjane të 31 Korrikut 1943.