Përkujtohet 35-vjetori i grevë së urisë në vitin 1991 nga BSPSH
35 vite më parë do të niste një epokë e re për Shqipërinë, ku do të dilej përfundimisht nga regjimi monist i Enver Hoxhës. Por për tu arritur kjo do të duheshin forca të mëdha që deri në atë kohë nuk kishin mundur ta kundërshtonin komunizmin. Pikërisht në këtë vit ishin minatorët në mbarë vendin që nisën protestat për rritjen e pagave të tyre dhe trajtim dinjitoz. Në janar 1991, minatorët e Valiasit nisën protestat e para duke kërkuar rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës. Në maj 1991, gjatë grevës së përgjithshme të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, minatorët vendosën të ndërmerrnin hapin më ekstrem: grevën e urisë në nëntokë. Kësaj greve ju bashkuan edhe minator nga Mati. Ishte pikërisht kjo lëvizje e cila i dha goditje të fortë regjimit komunist. Për të përkujtuar këtë ngjarje, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë zhvilloi një takim me ish-minatorët e Matit. Ish-minatori Jonuz Xhetani tregon momentet e asaj lëvizje se si ajo u bë shpresë për çdo qytetar shqiptar. E pranishme në këtë aktivitet, deputetja e Qarkut Dibër, Denisa Vata tha se Partia Demokratike është krah minatorëve dhe do të vazhdojë të punojë për miratimin e Statusit të Minatorit. Greva e vitit 1991 zgjati 11 ditë dhe u kthye në simbol kombëtar të rezistencës punëtore. Shumë minatorë dolën nga galeritë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa mijëra qytetarë e punëtorë u solidarizuan me ta në gjithë vendin.