Për një plasaritje shkolla e 250 nxënësve është mbyllur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019
Banorët e Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit kanë vijuar protestën e tyre për rihapjen e shkollës së mesme të bashkuar “Haxhi Lata” e mbyllu një vit më parë me argumentin se tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019 e ka dëmtuar dhe e bën të rrezikshme. Por banorët insistjnë se shkolla nuk ka asnjë problem, ndërsa ekspertët janë bazuar në një plasaritje të vogël.

Nën thirrjet “Mbani premtimet” dhe “Hapni shkollën tonë”, banorët insistojnë që ministria e Arsimit dhe Bashkia e Klosit të bëjnë një riekspertim me përfaqësi edhe të tyren. Ata shprehen se nuk do të dërgojnë më fëmijët në kisha e xhamia për të mësuar dhe se protesta e radhës do të jetë bllokimi i hyrjes së bashkisë së Klosit.


Në shkollën e mesme të Bashkuar “Haxhi Lata” në Suç mësojnë rreth 250 nxënës nga klasa e parë në të 12. Vitin e kaluar arsimor këta nxënës u shpërndanë në ambjente si në kisha e xhamia, në një ish shkollë të rrënuar dhe një pjesë në fshatin Kurdari. Për prindërit e fëmijëve, ai vit mësimor ka qenë totalisht i dështuar për marrjen e dijeve arsimore nga fëmijët e tyre.