Kryetari i Lëvizjes për Zhvillimin Kombëtar, Dashamir Shehi, ka folur ditën e sotme për pensionin e mohuar të minatorëve.

Shehi në një intervistë për Report Tv, tha se duhet zgjidhur patjetër çështja për statusin e minatorit, ndonëse shtëpi se kjo nuk do t’i jepte fund jetëve të marra në galeritë e minierave të kromit.

Shehi tha se shteti duhet të vendos rregulla loje në Bulqizë.

“Statusi i minatorit është një histori pensionesh që tërhiqet zvarrë prej vitesh, është një kategori shoqërore shumë e sakrifikuar, ai status nuk zgjidh këto tema, si vrasja e minatorëve. Duhet një politikë serioze e industrisë minerare, për të mbrojtur punëtorët, për të vënë ligje e rregulla. Nuk mund të vazhdohet të punohet në Bulqizë në një regjim ilegaliteti dhe pastaj disa grosistë mbledhin nga hallexhinjtë dhe më pas ia dorëzojnë disa grosistëve që janë miq të qeverisë të cilët e marrin mallin me duart të pastra dhe fitojnë para me duar të pastra, po te ato miliona është gjaku i atij fukarai që vdiq pardje, por dhe shumë të tjerëve që nuk është bërë shumë zhurmë. Kështu që i takon kësaj qeverie, por edhe të asaj qeverie të mëparshme, në atë zonë specifike që të vërë rregulla loje, atje komandojnë grupet kriminale, punohet me automatik, nuk punohet me lopatë dhe të gjithë bëjnë sikur nuk e dinë, statusi i minatorit është i rëndësishëm, por nuk atakon këtë pjesë. Ka nevojë që të ndërhyhet të Kodi i Punës, të ndërhyrë Policia, Inspektorati i Punës, Ministria e Punës që Zoti Rama e zhduku. Vdesin njerëzit, ta nisin te fshati të dhe të thonë nuk ka qenë këtu”, tha Shehi.