90 raste të reja me koronavirus u konfirmuan ditën e sotme, duke ngritur shqetësimet e ekspertëve, sidomos për të shtruarit dhe që tani po kërkojnë trajtim edhe mosha të reja. Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka thënë se të rinjtë janë më të ekspozuar për shkak të marrëdhënieve të punës, ndërsa më të moshuarit janë ndërgjegjësuar dhe po tregojnë më shumë kujdes:

 “Moshat e reja janë më të ekspozuar sepse janë në marrëdhënie pune. Moshat e vjetra kanë më shumë kujdes. Graviteti dhe komplikacionet më të mëdha janë te të sëmurët kronikë. Shtimi i rasteve ka sjellë më shumë raste në spital dhe humbje jetësh. Në kompleks jeta është shqetësuese por nuk është ende problematike”.

Apeli sot në gjithë botën është përdorimi i maskës, distancimit social dhe higjienës. Por Pipero thotë se maska nuk duhet të lihet më sipas dëshirës, por të bëhet me detyrim edhe në rrugë.

 “Askush nuk e di nëse është pozitiv. Sot bota trembet nga transmetuesit e heshtur. Kam qenë dhe jam kundër maskës në rrugë. Por që të na bëhet mënyrë jetese duhet të mbahet edhe në rrugë. Një maskë sado e thjeshtë e ul mundësinë e infektimit deri në 95%”.

Mjeku Pipero tha gjithashtu për Abc News se rastet do ulen vetëm nëse qytetarët respektojnë rregullat.