Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë dorëzuar paraditen e kësaj të premteje në 4 KZAZ e Qarkut Dibër emrat për të plotësuar vendet në këto konisione.
Por drejtuesit e KZAZ-ve 16, 17, 18 dhe 19 thonë se kërkesa e PD e LSI është bërë jashtë afateve ligjore, pasi ka skaduar mbrëmë në mesnatë.
Në KZAZ 19 në Dibër kërkesa e PD dhe LSI nuk është pranuar fare, ndërsa në KZAZ 16 është protokolluar si kërkesë por nuk janë miratuar emrat, pasi janë propozuar jashtë afatit ligjor. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në KZAZ 17 në Klos e atë 18 në Bulqizë.
Ndërkohë të kontaktuar nga Mat Televizion, drejtues të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor në Dibër, thanë se do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që do të vendosë nëse kandidatët e propozuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, do të pranohen apo jo.