Dibra është rasti i vetëm që në të gjithë Shqipërinë Partia Demokratike e rithemelimit nuk ka një kandidat për zgjedhjet e 14 Majit. Kjo për shkak se zgjedhjet e mbajtura në datat 4 dhe 11 Dhjetor të vitit të kaluar, u rrëzuan nga Komisioni i Organizmit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale.

Kandidati fitues i kësaj gare ishte avokati Ismail Uka, ku përballë kishte Besnik Alkun por ky i fundit e ankimoi rezultatin dhe pas shqyrtimit të bërë nga Komisioni i Organizmit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në qendër, u vendos që ato të përsëriteshin.

Ky vendim solli edhe dorëheqjen e Kryetarit të PD Dibër dalë nga zgjedhjet e organizuara nga komisioni i rrithemelimit, Ilir Krosi. Sakaq, 21 Janari ishte vendosur si datë për psërsëritjen e zgjedhjeve të primareve në këtë bashki, por edhe pse ka kaluar afro një muaj, ato nuk janë mbajtur.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka nxjerrë kandidatin e tij në Dibër, ish kreun e Këshillit të Qarkut Dibër, Naim Gazidedja.

Nuk dihet nëse demokratët e Dibrës do të zhvillojnë një tjetër process zgjedhor për kandidatin e grupimit të Berishës, apo do të pranojnë avokatin Ismail Uka që fitoi këtë garë brenda llojit me vetëm 1 votë më tepër se rivali Besnik Alku.

Dritan Kurti