Pastrohen inertet tek fusha e “Radikës”
Kjo ishte gjendja e vendit të quajtur “Fusha e Radikës”, e pushtuar nga mbeturinat inerte, një vend që mbartte histori pasi këtu u zhvilluar një nga betejat më të mëdha kundër osmanëve, drejtuar nga Hajredin Pasha. Por pas lajmit të transmetuar pak ditë më parë në median tonë vizive, autoritetet kanë ndërhyrë. Bashkia e Bulqizës ka bërë të mundur largimin e të gjitha mbeturinave që ishin hedhur aty nga persona të papërgjegjshëm. Mbetjet kishin pushtuar edhe zonën pranë varrezave, por që tashmë janë larguar. Mes mbetjeve inerte të dala nga rikonstruksioni apo prishja e ndërtesave të vjetra kishte edhe mbetje plastike që bëjnë të ndotet akoma më shumë mjedisi në këtë zonë. Kanë qenë banorët e zonës ata të cilët denoncuan fenomenin i cili ishte bërë shumë shqetësues. Ata kishin kërkuar vazhdimisht ndërhyrjen e autoriteteve por zëri tyre kishte rënë në vesh të shurdhër. Megjithatë, ndërhyrja erdhi vetëm pasi problemi u bë mediatik, ndërsa banorët tashmë kërkojnë monitorim nga ana e autoriteteve që të ndëshkojnë këdo që hedh mbeturina në këtë zonë.