Pashaliman: Një Epokë e Re për Industrinë Detare Shqiptare me Fincantieri
Në Pashaliman, Vlorë, është nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi i rëndësishëm mes gjigandit italian të industrisë detare Fincantieri, kompanisë shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes Kayo dhe Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë. Ky memorandum synon zhvillimin e praktikave profesionale dhe ofrimin e mundësive të punësimit në fushën e ndërtimit dhe industrisë detare.
Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast mori pjesë edhe Kryeministri Rama, i cili vizitoi Vlorën. Kjo marrëveshje shënon një hap me rëndësi në përgatitjen e brezit të ri të specialistëve shqiptarë që do të mbështesin rritjen e qendrës së re industriale detare në Pashaliman, ndërkohë që forcohet më tej partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Faleminderit shumë të gjithëve! I dashur Pierroberto, i dashur Eugenio, shumë faleminderit për praninë tuaj këtu dhe shumë faleminderit edhe të gjithë të tjerëve, përfshirë edhe nxënësit dhe nxënëset e shkollës industriale “Pavarësia” që janë këtu jo si spektatorë, por si protagonistë të mundshëm të kësaj historie të re, që fillon për bazën e Pashalimanit,” theksoi Kryeministri Rama. “Jemi këtu me një kolos të industrisë globale të anijeve, “Fincantier”-in për të nënshkruar një marrëveshje mes “Fincantier”-it, Kajos dhe shkollës industriale. Një marrëveshje e cila hap një fazë të re, duke iu referuar asaj që tha administratori i përgjithshëm i Fincantier-it. Një kantier detar fillon në klasë, fillon aty ku ngrihet kapitali njerëzor, i cili vihet në dispozicion të një historie sipërmarrje qindra e qindra miliona eurosh.”
Rama bëri të ditur se qeveria shqiptare do të miratojë një akt normativ ku Shqipëria do të angazhojë të gjithë financimin e nevojshëm për të arritur objektivin e përcaktuar nga anëtarësia në NATO, duke e çuar në 2.6% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit shpenzimin për mbrojtjen. Kjo rritje e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë, përfshin edhe rritjen e industrisë ushtarake.
“Historia e industrisë tonë ushtarake dihet, është një histori dramatike, një histori e jashtëzakonshme në disproporcionet e veta. Nga një vend ndër më të militarizuarit në botë për perimetër territorial dhe numër popullsie, në një vend që humbi gjithçka nga industria e vet ushtarake pas ndryshimit të regjimit. Sot, ne jemi në një fazë krejt të re, ku industria ushtarake po rilind hap pas hapi dhe marrëveshja me “Fincantier-in” nuk është as e para dhe as e fundit ndër marrëveshjet që po firmosen për t’i dhënë industrisë tonë ushtarake të gjithë komponentët e vetë dhe për të pasur një sistem industrial ushtarak që funksionon nga uniformat, deri tek mjetet më të sofistikuara të Forcave të Armatosura,” shpjegoi Rama.
Në qendër të këtij procesi është kompania publike Kayo, e krijuar në bazë të praktikave më të mira ndërkombëtare, e cila përfaqëson interesat e publikut dhe të shtetit, duke ndërtuar këto partneritete dhe duke e bërë shtetin shqiptar pjesëmarrës, jo thjesht ligjërisht, por edhe financiarisht.
Ky partneritet pritet të krijojë 500 vende pune në Pashaliman. “Janë 500 vende pune që kërkojnë njerëz të kualifikuar, që kërkojnë ekspertizë. Janë 500 vende pune të mirë paguara, janë 500 vende pune në këtë sistem të ri që po ndërtohet,” theksoi Kryeministri. Ai shtoi se ata që do të përfshihen në këtë sipërmarrje do të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, duke pasur një komponent patriotik në shërbimin e tyre. Rama u shpreh se Vlora dhe shkolla industriale “Pavarësia” kanë burimet njerëzore me të cilat do të fillojë puna.
Kompania “Fincantieri” do të organizojë programin e vetë të trajnimeve në burim, ku nxënësit e shkollës do të shkojnë në kantierin e madh në Itali dhe do të trajnohen me mjeshtrit e kompanisë. “Ky është një lajm shumë i mirë për nxënësit, ky është një lajm i mirë për mësuesit, patjetër! Është një lajm i mirë për Vlorën dhe për arsimin tonë profesional,” përfundoi Rama.
Duke iu përgjigjur atyre që kritikojnë investimet e huaja, Kryeministri u shpreh: “Në radhë të parë këto investime vijnë për shqiptarët, vijnë për ata të cilët duan punë, duan të jetojnë me punë, janë të gatshëm të sakrifikojnë në punë dhe përmes punës të rriten dhe të ngjisin shkallët e një karriere profesionale, që sa më lart ngjitesh aq më mirë të paguan. Dhe kjo është e vërtetë për këtë investim, kjo është e vërtetë për çdo investim.” Ai theksoi rëndësinë e tërheqjes së investimeve të huaja për rritjen ekonomike të vendit, duke synuar një ekonomi prej 35 miliardë eurosh nga 27 miliardë euro aktualisht. “Ideja që investimet e huaja i bie ndesh atdheut është ideja më e marrë që mund të promovohet dhe të cilës i duhet qëndruar vendosmërisht me kurriz,” përfundoi Rama.
Nxënësit dhe të gjithë të interesuarit ftohen të bëhen pjesë e testimeve që do të bëjnë inxhinierët dhe mjeshtrat e kompanisë për të përzgjedhur grupin e parë që do të trajnohet në Itali.