Riveshja me asfalt e rrugëve të qytetit të Burrelit duket se ka sjellë edhe një përplasje me akuza mes ish deputete Dhurata Çupi dhe kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj.
Kryebashkiaku Malaj akuzoi Çupin për stisje të mesazheve por ka ardhur sërish një përgjigje nga ish deputetja.
Në një reagim eskluziv për Mattv.al Çupi akuzon Malajn për varfërim të Matit dhe moshapjen e asnjë vendi pune për qytetarët.
Reagimi ish deputetes Çupi për Mattv.al
Çfarëdo që të thotë kryebashkiaku i paligjshëm i Matit, matjanët nuk i mashtron dot. Asfalti në rrugë është asfalt elektoral, abuziv dhe këtë e di i madh e i vogël që nuk pa asnjë investim me sy nga qeveria e Agron Malajt. Tani, matjanët po shohin sesi një kryebashkiak i papërgjegjshëm dhe një qeveri e paaftë po vjedhin ç’të mundin para zgjedhjeve. Bën mirë që në vend të sulmeve kundër meje, Agron Malaj t’u japë llogari matjanëve pse nuk ka hapur asnjë vend të ri pune, pse zona jonë është varfëruar dhe është shterruar nga të rinjtë këto 8 vjet. Sulmet qesharake të Agron Malajt nuk më ndalojnë dot as mua, as kolegët e mi nga misioni për të çliruar Matin tonë të dashur dhe të gjithë Shqipërinë nga hajnat që na drejtojnë.